Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë emisionit “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka folur për koalicionin shqiptar VLEN-i, duke e cilësuar si një përfaqësues të denjë të shqiptarëve.
Gashi theksoi rëndësinë e institucionit dhe rolin e koalicionit në përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar në vend.
“Unë këtë e kuptoj në aspektin opozitar, dhe deri diku ka një kuptim, sepse VLEN-i është përfaqësuesi i denjë i shqiptarëve, dhe i mbetet qytetarëve ta vlerësojnë. Por mund ta them se që nga vitet 90-ta kemi qenë të përfaqësuar nga subjekte të ndryshme, kemi përjetuar poshtërime, procese të montuara, burgosje, vrasje dhe incidente të tjera të dhimbshme. Sot, dy vitet e fundit nuk ka pasur raste të tilla të rëndësishme dhe beteja është institucionale. Ne bëjmë maksimumin dhe jemi të zgjedhur nga qytetarët, duke fituar edhe zgjedhjet lokale para katër muajsh dhe duke ulur këto narrativa negative,” tha Gashi.
Ai nënvizoi se VLEN-i ka treguar stabilitet dhe përfaqësim serioz për shqiptarët, duke ofruar një alternativë të besueshme në skenën politike.
“VLEN-i është koalicioni shqiptar që nuk ka synime të paqarta dhe është një pikë referimi e rëndësishme për komunitetin tonë,” shtoi Gashi.






