Komentatori politik Shkëlzen Gashi, ka folur për tiparet kryesore të idealistit dhe simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçi në përvjetorin e katërt të vdekjes. Gashi ka thënë se Demaçi është pasqyrë e shqiptarëve të Kosovës, pasi ai shërben si pasqyrë e tyre.
Sipas tij, gabimi i Adem Demaçit është që ai ka kërkuar nga bashkëkombasit e tij ta bëjnë sakrificën e njëjtë, siç e ka bërë ai vetë.
“Pse nuk e duan shqiptarët? Kur e shohin Demaçin, shqiptarët e Kosovës e shohin veten. Ky ka bërë gabim sepse u ka kërku shqiptarëve ta bëjnë të njëjtën sakrificë. Ky e ka lexu Hegelin dhe e ka zbatu në praktikë. Jeta ka kuptim vetëm kur je në gjendje me vdekë për një ideal. Ky tanë kohën ka dashtë me vdekë për vendin e vet”, ka thënë Gashi në emisionin Pressing.
Gashi, ka thënë se vet Demaçi i kishte treguar se çfarë e kishte shtyrë që të angazhohej politikish. Ai ka thënë se është çuditur kur i kishte thënë se arsyeja nuk janë burgjet politike, po një ngjarje e mëhershme.
“Kam pritur që më thotë prej burgjeve. Momenti më i rëndë ka qenë kur lagjja ime u zbraz komplet, kur krejt shokët e shoqet më ikën. Një moment tjetër ishte aksioni për armët, edhe mos me pasë armën është dashur me ble dhe me dorëzu”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se e pengon që që kundërshtarët e Demaçit nga LDK, kanë tentuar ta paraqesin atë si një njeri që nuk është i ngritur intelektualisht.
Ai ka treguar edhe dallimin e Demaçit me disidentin e njohur, Nelson Mandela.
“Me Mandelën e dallon kjo, që e ka mbajtë burgun disa herë, e Mandela ka mbajtë përnjëherë”, ka theksuar ai.