-11.6 C
New York
Saturday, January 24, 2026

Buy now

Gashi: Qeverisja e Kurtit ndërtohet mbi një ndarje të thellë mes dukjes morale dhe praktikës reale të pushtetit

- Advertisement -

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi thotë se qeverisja nën udhëheqjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ndërtohet mbi një ndarje mes dukjes morale dhe praktikes reale të pushtetit.

Ai shkruan se diskursi i reformës, i drejtësisë dhe i virtytit shërben si fasadë etike.

Postimi i plotë:

“Të gjithë shohin atë që dukesh, por pak e kuptojnë atë që je në të vërtetë.”

Niccolò Machiavelli, Princi

Qeverisja e Albin Kurtit ndërtohet mbi një ndarje të thellë mes dukjes morale dhe praktikës reale të pushtetit. Diskursi i reformës, i drejtësisë dhe i virtytit shërben si fasadë etike, ndërsa mënyra e ushtrimit të pushtetit rrëshqet drejt përqendrimit, përjashtimit dhe kontrollit.

Kjo formë qeverisjeje mishëron një makiavelizëm funksional, jo si teori e artikuluar, por si praktikë e përditshme e pushtetit, ku morali instrumentalizohet për të legjitimuar vendime arbitrare dhe për të amortizuar reagimin qytetar. Pushteti nuk kërkon më bindje përmes arsyes, por qetësi përmes lodhjes politike.

Në këtë kontekst, marrëdhënia mes qeverisë dhe qytetarit nuk konceptohet si kontratë morale, por si raport force i sofistikuar. Makiavelli paralajmëron se shtypja e pjesshme prodhon rezistencë, për rrjedhojë, qeverisja tenton të neutralizojë jo vetëm kundërshtimin, por vetë aftësinë për të reaguar. Ku pastaj heshtja shndërrohet në objektiv politik.

Kjo nuk është më thjesht çështje stili qeverisës, por problem i legjitimitetit demokratik. Një pushtet që ruhet përmes kontrollit të reagimit, e jo përmes besimit, e zhvendos demokracinë nga hapësira e lirisë drejt administrimit të nënshtrimit.

Koha mbetet gjykatësi i fundit i çdo pushteti. Ajo tashmë ka dëshmuar se kjo qeverisje ishte një simulim virtyti, ku etika u shndërrua në maskë, politika u zhvesh nga fryma demokratike dhe u degradua gradualisht në një formë të re despotizmi.

Të ngjashme

Të fundit