Avokati Tom Gashi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk i beson Prokurorisë.
“Presidentja Osmani ka deklaruar se ka marrë kërcënime, çfarëdo lloj që ato kanë qenë edhe për shkak të mosdekretimit të kandidatit të KPK-së. Këto kërcënime ka deklaruar ajo se nuk i ka deponuar ende sepse është e thjeshtë se nuk i beson këtij institucioni, respektivisht kësaj Prokurorie”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, kjo situatë është tepër e rëndë dhe se nuk është normale që presidentja të merr kërcënime.
Gashi ka thënë tutje se këto kërcënime janë serioze.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka dekretuar për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufajn, të martën e 17 tetorit.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se këtë të martë e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror.