Avokati Tomë Gashi ka komentuar rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, duke e cilësuar si një ngjarje të dhimbshme që kërkon qasje të kujdesshme ligjore dhe jo përgjithësuese ndaj institucioneve të sigurisë.
“Është një rast i dhimbshëm që një i ri të vdes,” tha Gashi, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të fajësojë policinë në tërësi.
“Nëse ka përgjegjësi penale, ato duhet të jenë individuale ose kolektive, dhe është gjykata ajo që do ta thotë të vërtetën,” shtoi ai.
Gashi gjithashtu komentoi materialet filmike që janë publikuar në media për këtë rast, duke thënë se jo të gjitha përputhen dhe se interpretimi duhet të bëhet me kujdes, pa u politizuar.
“Ka shumë video të publikuara disa përputhen, disa jo, varësisht nga këndi i regjistrimit. Por askush nuk duhet t’i japë ngjyrë rastit. Duhet të shihet si është, ndoshta si një reagim brenda kompetencave apo me forcë proporcionale,” deklaroi ai.
Avokati shtoi se është shumë herët për të nxjerrë një përfundim përfundimtar, pasi ende nuk dihet e gjithë e vërteta. Ai theksoi se policia nuk i përket asnjë partie politike.
“Policia nuk është e VV-së, as e PDK-së apo LDK-së është e shtetit dhe e qytetarëve,” theksoi Gashi.
Në lidhje me thirrjet për dorëheqje të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, Gashi tha se një dorëheqje etike mund të ndodhë vetëm nëse zyrtari vetë e dëshiron, por sipas tij, nuk duhet të fajësohet ministri nëse ai nuk ka qenë i informuar për rastin në kohë.
“Këto janë çështje delikate. Dorëheqja etike është një akt individual. Por fajësimi i Ministrit për një rast që mund të mos e ketë ditur në kohë, është i padrejtë,” përfundoi Gashi.