“Sa për këtë opozitë, ne e zgjasim edhe 4 vite mandatin pa zgjedhje hiç,” kishte deklaruar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditë më parë në “Debat Plus”.
Analisti Astrit Gashi thotë që megjithëse ka paksa arrogancë, ka edhe të vërtetë në këtë deklaratë, pasi sipas tij, opozita në shumicën e kohës nuk ka qenë unike me njëra-tjetrën.
“Kam thënë që ka pak arrogancë, si e thotë ministrja Haxhiu, por ka edhe pak të vërtetë, pse ka pak të vërtetë, është fakti se opozita gati në shumicën e kohës gati se nuk ka qenë unike me njëra-tjetrën, nisur prej faktit që AAK e pat nisë një mocion e dy partitë e tjera opozitare, jo vec që s’i nënshkruan, por edhe e përqeshnin, ka parti opozitare që kanë thënë se nuk mendojnë kurrfarë koalicioni me AAK-në me bë, si me thënë, ndërsa nuk kanë vija të kuqe ndaj VV-së,” tha Gashi.
Teksa shton se kryeministri bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës patën një iniciativë që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, e prapë opozita s’u bashkua.
“Rasti i fundit kur pati iniciativë të PDK-së bashkë me kryeministrin me shku në zgjedhje të parakohshme edhe ajo, AAK dhe LDK nuk u bënë bashkë, po shoh si me thënë një opozitë që është ekstrem e përçame,” shtoi Gashi.
Gashi thotë se me sondazhet e vazhdueshme, Lëvizja Vetëvendosje ka një përqindje thuajse si para 4 vjet më parë, e që sipas tij nëse dalin të përafërta, atëherë “opozita nuk ia la shenjë qeverisë”.
“Ministrja po ashtu ka të drejtë, jo me arrogancën e saj nuk duhet ta thotë ministrja këtë gjë as ta përqeshë opozitën, por po folim për fakte në njëfarë forme, nëse i shohim sondazhet në vazhdimësi po shihet që partia në pushtet ka një përqindje e cila është e përafërt me para 4 vite gati, që i bie që nëse na dalin kështu ose të përafërta rezultati zgjedhor, atëherë cili është suksesi opozitës, i bie që opozita s’ka mujt me ia lon shenjë kësaj qeverie,” shtoi Gashi në “Debat Plus”.