Kenan Gashi nga AVONET ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për caktimin e 28 dhjetorit si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ai këtë vendim e cilësoi të njëanshëm dhe të pavend.
Sipas Gashit, presidentja ka marrë parasysh vetëm qëndrimin e Vetëvendosjes, duke injoruar shumicën e partive të tjera politike.
“Presidentja ka qenë e njëanshme, ka dëgjuar vetëm VV-në dhe asnjë prej subjekteve tjera nuk e ka dëgjuar. Qëndrimet e partive tjera kanë qenë për datën 21, kurse të VV-së për 28. Mendoj se kjo është njëra prej datave më të gabuara që ka pasur ndonjëherë Kosova për zgjedhje”, deklaroi Gashi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai shtoi se data alternative, 21 dhjetori, do t’u jepte institucioneve më shumë hapësirë për organizim, ndërsa qytetarëve kushte më të mira për pjesëmarrje.
“Te ne, qytetarët pushimet i kalojnë jashtë vendit. Me këtë datë, votuesit do të jenë në lëvizje dhe besoj se do të ketë efekt negativ”, tha ai.
Vendimi për datën e zgjedhjeve ka nxitur reagime të shumta politike, me disa parti opozitare që kanë akuzuar Osmanin se ka vepruar në favor të VV-së — një akuzë që presidenca e ka mohuar.






