Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë deklaruar se kanë fituar betejën ndaj anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilët, sipas tyre, kishin kundërshtuar ndarjen e mjeteve financiare për dërgimin e fletëvotimeve origjinale për secilin votues të mërgatës.
“Ne e kemi realizuar këtë obligim ligjor, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të VV-së”, ka deklaruar anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.
Ai ka shtuar se vendimi për pranimin e fletëvotimeve të ardhura pas afatit ligjor është miratuar nga KQZ-ja me vetëdije se bëhej fjalë për shkelje ligjore.
“Sidoqoftë, kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës. Tani, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me këtë vendim të KQZ-së”.
Postimi i plotë:
Si përfaqësues të PDK-së, e kemi fituar betejën në KQZ ndaj kolegëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kishin bërë thirrje që të mos ndaheshin mjete financiare për dërgimin e fletëvotimeve origjinale për secilin votues në mërgatë.
Ne e kemi realizuar këtë obligim ligjor, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të VV-së.
Propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit u miratua në KQZ me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, edhe pse kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës.
Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor.





