Sipas Gashit, një kërkesë e tillë nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi zgjedhja e Rashiqit ka përmbushur kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të shprehura në aktgjykimin e fundit.
“Unë besoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta shqyrtojë fare kërkesën e Listës Serbe, pasi kjo kërkesë nuk ka kurrfarë baze ligjore. Të gjithë deputetët që e kanë votuar, përfshirë nënkryetarin e mëparshëm, i cili ishte serb, por nuk ishte nga Lista Serbe, kanë kontribuar në zgjedhjen e Nenad Rashiqit. Besoj se kjo ka përmbushur kërkesat e Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin e fundit. Gjithashtu, duke pasur parasysh që Lista Serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe realitetin që kemi pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, ajo vazhdon të veprojë sipas interesave të Beogradit, duke përfshirë gjithashtu dhe përpjekjet për të bllokuar formimin e institucioneve tona”, është shprehur ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndryshe, më 16 tetor, Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.
Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.