Burimet për “Reuters” thanë se në axhendën e takimeve elektorale të Kamala Harris për nesër është Teksasi, një bastion i republikanëve.
Harris do të shkojë në Teksas për të mbështetur senatorin demokrat Colin Allred, i cili renditet pas republikanit Ted Cruz në sondazhe. Kamala Harris do të flasë edhe për çështjen e aborteve.
Lajmi për paraqitjen e Beyonce u raportua fillimisht nga gazeta “Washington Post”.
Kanë mbetur dy javë nga dita e votimit për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Kandidatja demokrate, nënpresidentja Kamala Harris dhe kundërshtari i saj republikan, ish-presidenti Donald Trump janë përqendruar thuajse plotësisht te shtatë shtetet vendimtare që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Më shumë se 14 milionë amerikanë e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre përmes votimit të hershëm, sipas të dhënave të Laboratorit të Zgjedhjeve pranë Universitetit të Floridës dhe shumë të tjerë pritet të veprojnë njësoj në ditët në vazhdim, ndërsa qendrat e votimit janë hapur herët thuajse në të 50 shtetet dhe po ashtu po praktikohet votimi përmes postës.
Anketimet në nivel kombëtar tregojnë se kjo është gara me diferencën më të ngushtë për dekada të tëra, ndërsa zonja Harris ka një epërsi të lehtë.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga vota e Kolegjit Elektoral, çka bën që zgjedhjet të jenë një garë shtet më shtet. Në 48 nga 50 shtetet, fituesi i merr të gjithë elektorët e shtetit, me përjashtim të dy shteteve, Nebraskës dhe Meinit, të cilat i ndajnë elektorët në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.
Numri i elektorëve të çdo shteti përcaktohet nga popullsia e tij, pra shtetet më të mëdha, kanë ndikimin më të madh në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve në nivel kombëtar.
Që një kandidat të fitojë, i duhet të sigurojë 270 nga 538 votat në total që ka Kolegji Elektoral.
Anketimet tregojnë se në 43 shtete, pak a shumë dihet fituesi. Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë rezultati do të përcaktohej nga shtatë shtetet: Viskonsin, Miçigan, Penslivani, Karolina e Veriut, Xhorxhia, Arizona dhe Nevada.
Diferenca në këto shtete, sipas anketave të fundit, është në kufijtë e masës së gabimit të sondazheve, çka bën që në secilin prej tyre, rezultati të jetë në pikëpyetje.
Pikërisht për këtë arsye, kandidatët Harris dhe Trump i kanë përqendruar takimet zgjedhore në këto shtete, një agjendë që ka të ngjarë të vazhdojë po kështu edhe në dy javët e fundit të fushatës.