24.8 C
New York
Thursday, June 19, 2025

Buy now

Gara për Prishtinën: LDK, VV, PDK, AAK e PSD në betejën për kryeqytetin

- Advertisement -

Zgjedhjet lokale të tetorit në Kosovë pritet të sjellin një garë të fortë dhe dinamike për drejtimin e Komunës së Prishtinës.

Kryeqyteti, që tradicionalisht ka qenë një prej betejave më të ashpra politike, tashmë ka edhe zyrtarisht kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku.

Ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit u zyrtarizua sot si kandidat për të parin e Prishtinës nga dega e VV-së në kryeqytet.

Lajmin e konfirmoi kryetari i degës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Arben Vitia, i cili tha se vendimi është marrë unanimisht nga strukturat partiake.

“Hajrulla Çeku do të jetë kandidati ynë për Prishtinën. Kjo u vendos unanimisht nga qendra e VV-së në kryeqytet”, deklaroi Vitia, i cili vetë ishte kandidat në zgjedhjet e kaluara.

Çeku, i cili drejton Ministrinë e Kulturës prej vitit 2021, është i njohur për sfidat e ndërmarra në sektorin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, por tani do të përballet me një garë shumë më sfiduese – rikthimin e VV-së në krye të Prishtinës.

Vetëvendosje kërkon ta rikthejë Prishtinën pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2021, kur kandidati i saj, Arben Vitia, u mposht në balotazh nga arkitekti Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Humbja e Prishtinës asokohe u pa si një nga dështimet më të mëdha të LVV-së në nivel lokal, ndonëse partia kishte fituar bindshëm pushtetin qendror.

Gara e sivjetshme pritet të jetë edhe më e ashpër.

Përparim Rama (LDK) – Kryetari aktual i Prishtinës, i cili do të kërkojë një mandat të dytë për të vazhduar projektet e nisura. Rama mbështetet fuqishëm nga struktura e LDK-së, që pas fitimit të kryeqytetit në vitin 2021 e ka konsideruar këtë si një bazë të rëndësishme politike.

Hajrulla Çeku (LVV) Çeku, i cili drejton Ministrinë e Kulturës prej vitit 2021, është i njohur për sfidat e ndërmarra në sektorin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, por tani do të përballet me një garë shumë më sfiduese – rikthimin e VV-së në krye të Prishtinës.

Uran Ismaili (PDK) – Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kandidati që në zgjedhjet e kaluara doli i treti. Ai pritet ta forcojë edhe më shumë garën për të sfiduar dy rivalët kryesorë.

Bekë Berisha (AAK) – Deputet i njohur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili pritet të sjellë në fushatë një stil më ndryshe, kjo duke u bazuar në fushatën e fundit të zgjedhjeve parlamentare.

Besa Shahini (PSD) – Ish-ministre e Arsimit në Shqipëri, e cila do të synojë të sjellë një alternativë të majtë dhe me fokus te politikat sociale e arsimore.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 12 tetor, ndërsa fushata zyrtare pritet të fillojë në muajin shtator.

Prishtina do të jetë, pa dyshim, një nga garat më të përcjella nga publiku dhe mediat, jo vetëm për rëndësinë administrative që ka kryeqyteti, por edhe për peshën simbolike që bart fitorja në të.

Për Vetëvendosjen dhe për Albin Kurtin, rikthimi në krye të Prishtinës është më shumë sesa një sfidë lokale – është një test për fuqinë e partisë në terren.

Me një garë me kaq shumë emra të njohur dhe me një elektorat të ndarë politikisht, Prishtina pritet të jetë beteja e madhe e këtij viti zgjedhor në Kosovë. /Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit