Gara për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa vjen e bëhet më e ngushtë. Tashmë, për herë të parë që nga fillimi i fushatës, zv. presidentja Kamala Harris ka parakaluar në baste kandidatin republikan, Donald Trump, sipas asaj që njofton “FOX Business”.

Që nga mëngjesi i së hënës, Harris e kaloi Trump si favorite me shanse për të fituar presidencën në BetUS me 55%. Bookmakers-at në faqen e parashikimeve PolyMarket gjithashtu favorizuan Harris të hënën, duke i dhënë asaj një shans 51% për të fituar garën, krahasuar me 46% të Trump.

Në PredictIt, bookmakers-at i japin Harris një shans 59% për të fituar, ndërsa shanset e Trump ranë në 43%. Drejtori i marrëdhënieve me publikun i BetUS, Tim Williams, tha për “FOX Business”:

Jo vetëm që Harris është tani kryesuese në shanset e basteve, por ajo është gjithashtu lider për sa i përket numrit total të basteve të vendosura, gjë që është një arritje mbresëlënëse duke marrë parasysh se ajo u bë e nominuara zyrtare vetëm një javë më parë.

Votuesit po i japin Kamala Harris një shtysë të madhe në një sondazh të ri, që tregon se i besojnë asaj për të menaxhuar ekonominë amerikane. Edhe pse kandidati republikan për president Donald Trump ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje politikat ekonomike të administratës Biden, Harris rifitoi terren pasi shpalli kandidaturën e saj pasi presidenti amerikan njoftoi se po tërhiqej nga gara.

Sipas sondazhit të ri të kryer në emër të Financial Times dhe Ross School of Business të Universitetit të Miçiganit nga 1 deri më 5 gusht nga një kampion prej 1001 votuesish të regjistruar, 42% thanë se i besojnë Harris-it në ekonomi, një pikë epërsi prej një pikë përqindjeje mbi Trump (41%), që bie brenda kufirit të gabimit statistikor (+/-3.1%).

Sondazhe të tjera i kanë dhënë Trump një epërsi të konsiderueshme ndaj Harris në mënyrën se si të menaxhojë ekonominë, por më e fundit nga FT/Michigan Ross sinjalizon një ndryshim në vrull në favor të kandidates presidenciale demokrate, pasi ajo duket se po kryeson në tre shtete.