Ganimete Musliu kërkon nga Prokuroria ta ftojë për intervistim Kurtin dhe Nagavcin, pas akuzave se mediat punojnë për Serbinë

- Advertisement -

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi propagandë, por mbi fakte dhe përgjegjësi.

Ajo i bëri thirrje Prokurorisë që të intervistojë kryeministrin Albin Kurti dhe Arbërie Nagavcin lidhur me deklaratat për financimin e mediave nga burime të dyshimta.

Musliu theksoi se publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën dhe kërkoi që, nëse ka prova, ato të publikohen, ndërsa në të kundërtën të ketë përgjegjësi për deklarata që dëmtojnë besimin në media dhe institucione.

Postimi i plotë:

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi deklarata të përgjithshme dhe me propagande, por ndërtohet mbi fakte dhe përgjegjësi.

Prokuroria duhet të veprojë pa hezitim: të ftojë për intervistim Albin Kurtin dhe Arbërie Nagavcin për deklaratat e tyre publike.
Kur hidhen akuza për financim të mediave nga burime të dyshimta, opinioni publik ka të drejtë dhe duhet ta të dijë të vërtetën.

Kush janë këto media? Nga kush financohen? Cilat janë provat?

Nëse ka fakte, ato duhet të dalin në dritë. Nëse jo, atëherë duhet të ketë përgjegjësi për deklarata që cenojnë besimin në media dhe në institucionet e vendit.

E vërteta nuk mund të mbetet peng i fjalëve, ajo duhet të mbështetet në prova.

Të ngjashme

Të fundit