Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e ka cilësuar si ndërhyrje të pushtetit në aktivitetet politike të LDK-së në Podujevë.
Sipas Gecit, sot në Podujevë janë thirrur inspektorati komunal dhe Policia për të larguar fotografitë e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Fadil Geci nga sheshi “Ali Ajeti”. Ai për këtë veprim ka fajësuar zyrtarë lokalë, duke i cilësuar si të afërt me kryeministrin Albin Kurti.
Në reagimin e tij publik, Geci i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të pushtetit që, sipas tij, të mos tentojnë të pengojnë veprimtarinë e LDK-së në rajonin e Llapit, duke theksuar se kjo parti ka përballuar sfida edhe në periudha shumë më të vështira historike.
Ai ka paralajmëruar se do të jetë personalisht i pranishëm çdo ditë në sheshet “Zahir Pajaziti” dhe “Ali Ajeti” në Podujevë, bashkë me bashkëpunëtorët e tij politikë, duke përmendur edhe emra të tjerë nga radhët e LDK-së.
Geci ka akuzuar Qeverinë për përdorim të institucioneve shtetërore kundër qytetarëve dhe subjekteve politike opozitare, duke e cilësuar këtë si të papranueshme në një shtet demokratik.






