Ish-mbrojtësi i Milan, tani 60 vjeç, Filippo Galli ka dhënë idenë se Milan duhet t’i vendosë stadiumit emrin e Silvio Berlusconit, ish-presidentit legjendar të “Djallit” që u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, këtë të hënë.
Në një prononcim për mediet, Galli u shpreh se do të ishte një ide e mirë që stadiumi i Milan të mbante emrin “Berlusconi”.
“T’i vendoset stadiumit të ri të AC Milan emri Silvio Berlusconi? Mund të jetë një ide. Nëse ideja do të niste nga dëshira e tifozëve, do të ishte një zgjidhje që mund të ndiqej. Dekadat e fundit të klubit janë të lidhura me të. Personalisht kam shumë kujtime, personale dhe publike. Më kujtohet entuziazmi me të cilin na shpjegoi për prezantimin në Civic Arena në Milano, ardhjen e helikopterit. Ai kishte entuziazëm të pabesueshëm dhe kjo, së bashku me shumë gjëra të tjera, na bëri të kuptojmë madhështinë e asaj që kishte në mendje. Ai ishte një vizionar dhe një pararendës. Përvoja e tij e fundit në Monza tregon aftësi menaxheriale, ata që investojnë nuk janë gjithmonë në gjendje të sjellin rezultate, por ai dhe klubi e bënë këtë, duke marrë një klub në një situatë të vështirë dhe duke e çuar në Serie A”, u shpreh Galli.