Galatasaray ka regjistruar fitoren e tretë radhazi për të bërë edhe një hap drejt titullit të kampionit në Superligën e Turqisë.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të, skuadra e drejtuar nga Okan Buruk shënoi fitore të thellë në udhëtim ndaj Alanyasporit.
Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Kirbiyik Holding” përfundoi me rezultatin 1:4.
Milot Rashica kontribuoi me gol në këtë fitore, teksa luajti për 74 minuta.
Reprezentuesi i Kosovës ishte autor i golit të katërt në këtë përballje.
Për Rashicën ishte ky goli i tij i katërt këtë sezon në elitën e futbollit turk, krahas edhe katër asistimeve.
Abdulkerim Bardakci (14’), Mauro Icardi (42’) dhe Dries Mertens (48’) shënuan golat tjerë për Galatasarayn.
Golin e vetëm dhe të nderit për vendasit e shënoi nga penalltia Efecan Karaca (17’).
Galatasaray pas kësaj fitore ka 69 pikë në krye të tabelës, nëntë më shumë se Fenerbahce, që ka tani një ndeshje më pak.
Alanyaspor ndodhet në pozitën e 11-të me 32 pikë. /Gazeta Express/