Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është deklaruar sonte në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket Kosovës.
Escobar tha në Kanal10 se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një zotim që duhet të përmbushet.
Po ashtu ai tha se në lidhje me këtë çështje ka biseduar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për atë se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për Kosovën.
“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar”,tha ai.