Një fotografi e ish-presidentit Hashim Thaçi është fotografuar në mesin e mbeturinave në bodrumin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
Fotografia, të cilën e ka publikuar sot Nacionale, shfaq portretin e Thaçit në mesin e gjërave të pavlera të hudhura në një ambient me bërllok. Ajo besohet se duhej të ishte vendosur në një hapësirë të dukshme brenda Ministrisë, siç parasheh protokolli shtetëror.
Por, portreti i ish-presidentit është hequr gjatë udhëheqjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme nga Donika Gërvalla, tani ministre e Drejtësisë.
Ministrinë e Punëve të Jashtme aktualisht e udhëheq Glauk Konjufca.

Ish-kryediplomatja Gërvalla, e cila nuk është shquar asnjëherë për urtësi aq sa është dalluar për gjuhë polarizuese, ka qenë një kritike e ashpër e Hashim Thaçit.
Disa vite para se ish-presidenti të arrestohej, Gërvalla kishte deklaruar se ka deponuar lëndë në Gjykatën Speciale.






