Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve – Dega Malishevë, ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Nefail Maliqit, i cili ka fyer dëshmorët Mujë Krasniqi dhe Beqir Gashi.
Kjo shoqatë ka paralajmëruar se kush i fyen dëshmoret do të përballet me pasoja.
Në reagimin e tyre është thënë se deklaratat e gazetarit që e mbështet Albin Kurtin përbëjnë cenim të rëndë të dinjitetit kombëtar, nxitje për përçarje dhe poshtërim publik të sakrificës së luftës çlirimtare.
“Le të kuptohet qartë nga të gjithë: Kjo është vijë e kuqe. Dëshmorët janë të shenjtë. Kush i fyen, përballet me pasoja. Këto deklarata përbëjnë cenim të rëndë të dinjitetit kombëtar, nxitje për përçarje dhe poshtërim publik të sakrificës së luftës çlirimtare. Askush nuk ka të drejtë të tallet me gjakun e derdhur për lirinë që sot e shijon. Kjo nuk është kërcënim i paligjshëm, është paralajmërim i drejtë dhe i domosdoshëm se fyerja ndaj dëshmorëve nuk kalon pa përgjigje. Familjet e dëshmorëve nuk frikësohen, nuk heshtin dhe nuk falin përbuzjen. Kujtesa historike është më e fortë se çdo koment i ulët”, është thënë në reagimin e tyre.






