Arbnor Aliu ka vendosur t’i thotë “po” Kosovës.
Talenti kosovar po luan me sukses për ekipin e të rinjve të Schalkes në Gjermani.
19 vjeçari ndihet i lumtur që në të ardhmen do ta veshë fanellën e vendlindjes së prindërve të tij.
Fillimisht, qendërmbrojësi do t’i bashkohet ekipit U-21 të Kosovës, ndërsa në të ardhmen besohet se mund të luajë edhe për Kombëtaren A.
Ai është shprehur i lumtur që do të luajë për Kosovën dhe beson se do të japë më të mirën e tij.
“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Ndihem shumë i lumtur që do të jem pjesë e Dardanëve sepse kam punuar shumë për ta merituar këtë fanellë. Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka theksuar Aliu, i cili u prit nga kreu i FFK-së, Agim Ademi.
Ai në fund e dha edhe një mesazh për tifozët “Dardanët”.
“Pres me padurim të paraqitem në fanellën e Kosovës dhe t’i dëgjoj brohoritjet e tyre. U premtoj se do të jap maksimumin tim për të arritur sa më shumë suksese dhe për t’i bërë të gjithë krenarë”, përfundoi Aliu.
Ai ka kontratë me Schalken deri në qershor të vitit 2024 dhe ka aftësi të liderit.
Në të kaluarën Arbnori ka qenë pjesë e ekipeve zinxhirë të Kombëtares së Gjermanisë.