Sipas Ligjit për Kryeqytetin, Prishtina duhet ta ketë Policinë e saj të veçantë.
Nga Policia e Kosovës thanë për Tëvë1 se janë në proces të formimit të kësaj drejtorie. E një ish-drejtor i këtij institucioni vlerëson se kjo do ta ndihmonte punën e Policisë, teksa kjo po mirëpritet edhe nga qytetarët.
Vrasje, vetëvrasje, grabitje, rrahje e gjuajtje me armë zjarri janë disa nga lajmet së fundmi në kryeqytet.
E si masë parandaluese për këto lloj dukurish, po konsiderohet formimi i policisë së kryeqytetit.
Tëvë1 kërkoi përgjigje nga Policia e Kosovës se a është duke u punuar në këtë drejtim dhe sa do ta ndihmonte kryeqytetin një polici e tillë.
Përmes përgjigjes elektronike, nga ky institucion u tha se formimi i kësaj Drejtorie është në formim e sipër duke mos dhënë detaje tjera shtesë.
“Policia e Kosovës, në kuadër të strukturës së re organizative, ka themeluar Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit, e cila është në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës. Krijimi dhe funksionalizimi i kësaj drejtorie është në procedurë e sipër, drejtori e cila do të ndihmojë avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërinstitucional dhe do të jetë në shërbim ndaj nevojave të qytetarëve të kryeqyteti si dhe në interes të sigurisë së përgjithshme”, thuhet nga Policia e Kosovës.
E një nga ish-drejtorët, thotë se me Ligjin aktual të Policisë, një gjë e tillë nuk mund të realizohet.
Megjithatë, Maliqi vlerëson se Policia e Kosovës është treguar shumë efikase në zbardhjen rasteve të fundit që tronditën Kosovën.
Një gjë të tillë po e kërkojnë edhe disa prishtinas, të cilët thonë se do të ndiheshin më të sigurt me formimin e Policisë së kryeqytetit.
Sipas Ligjit për Kryeqytetin të miratuar në vitin 2018, Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.