Qeveria Kurti i ka edhe dy muaj kohë deri në fund të mandatit. Për të përmbushur zotimin për ndërtimin e 160 çerdheve të reja, është shumë, shumë larg. Deri tash u tha se 14 janë përfunduar, 38 janë në procedurë të ndërtimit dhe 12 në procedura të prokurimit. Për 96 të tjera s’është bërë asnjë hap. Për dështimin në përmbushjen e këtij zotimi, Ministrja Nagavci ka fajësuar komunat që udhëhiqen nga opozita. Është marrë specifikisht me atë të Prishtinës, që udhëhiqet nga LDK, zyrtarët e së cilës vazhdimisht kanë kritikuar ekzekutivin për këtë punë.
“Do të kujdesem që për fëmijët tuaj të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar edhe 160 çerdhe në gjithë vendin”. Ky ishte premtimi që u kishte bërë qytetarëve Kryeministri Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021.
Gati katër vjet më vonë, në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, kur foli për çerdhet, Kurti nuk u lëshua fare në shifër për ndërtimin e tyre. Përmendi vetëm rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 përqind nga koha kur ai e ka marr mandatin.
“Në vitin 2021, të nderuar deputetë, në Kosovë kanë qenë të regjistruar në çerdhe 5555 fëmijë, ndërsa, në vitin 2024, janë 7429 fëmijë apo 1874 katër fëmijë më shumë sesa në vitin 2021, rritje prej 33 për qind. Për tri vjet është rrit për 33 për qind numri i fëmijëve në çerdhe. Të gjitha kërkesat e komunave për çerdhe janë proceduar, por ne i inkurajojmë komunat që të kërkojnë më shumë çerdhe për fëmijët në komunat ku ata qeverisin”, tha Kurti.
Shifrat për punën që është bërë deri tash në përmbushjen e këtij premtimi, i dha Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi opozita ia përmendi disa herë.
Edhe ajo vetë e pranoi se punë është bërë vetëm për 64 çerdhe. 96 të tjera kanë mbetur vetëm në letër.
“I kemi 14 çerdhe tashmë të përfunduara dhe të adaptuara, i kemi 38 në proces të ndërtimit dhe janë 12 çerdhe në proces të prokurimit”, deklaroi Nagavci.
Fajin për dështimin në përmbushjen e këtij premtimi, ajo e hodhi te komunat, që udhëhiqen nga opozita.
Ajo lëshoi edhe akuza ndaj komunave, duke thënë se kanë bojkotuar ndërtimin vetëm për të thënë se Vetëvendosja s’po i përmbush premtimet.
“Po, si Qeveri dhe si Lëvizje Vetëvendosje kemi premtuar ndërtimin e 160 çerdheve sepse këto janë nevojat për të rritur përfshirjen e fëmijëve tanë në edukimin e hershëm. Në momentin që i kemi planifiku këto çerdhe, ndonëse ju kemi njohur, megjithatë ka qenë vështirë e imagjinueshme që kryetarët e komunave që subjektet politike do të bojkotojnë ndërtimin e këtyre çerdheve vetëm për të thënë se Lëvizja nuk po realizon premtimin e vetë”, tha Nagavci.
U mor më pas specifikisht me Komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga LDK’ja, parti që vazhdimisht e ka ngritur këtë çështje.
“Komuna e Prishtinës, me të marrë mandatin LDK’ja, unë personalisht kam qenë në Komunë të Prishtinës dhe ju kam kërkuar që të identifikojnë lokacionet për ndërtimin e çerdheve. Po ju referohem vetëm një rasti, çerdhja te Medreseja. Kemi pranuar kërkesën në vitin 2022, menjëherë kemi filluar procedurat, kemi vendosë gurthemelin dhe ndonëse në letrën e parë, kërkesën formale që e kemi pranuar në atë kohë nga drejtoresha e arsimit nga PDK’ja është thënë se mungon leja e ndërtimit, na është garantuar me shkresën formale që e kanë dërguar me 21.02.,2022, që shumë shpejt do të sigurojë lejen e ndërtimit. Kemi vendos gurthemelin dhe kemi prit më shumë se dy vite në takime dhe kërkesa të njëpasnjëshme që të na sigurohet leja e ndërtimit në mënyrë që të na mundësohet që të investojmë në çerdhe”, tha Nagavci. Ajo shtoi se për kërkesat që i kanë drejtuar edhe Kryetarit të Prishtinës edhe Drejtoreshës për Arsim, s’kanë marrë përgjigje.
Probleme të tilla, Nagavci tha se kanë pasur edhe me komunat e tjera.
Ndërkohë, zëvendësministri Taulant Kelmendi, ka krahasuar numrin e çerdheve të ndërtuara gjatë Qeverisë Kurti dhe qeverisjeve të kaluara. Sipas tij, për 18 vjet janë ndërtuar vetëm katër çerdhe.
“Pra edhe në kritikën më të madhe të opozitës dhe aleatëve të saj, ne qëndrojmë më mirë se të gjithë qeverisjet paraprake bashkë”, ka shkruar Kelmendi.
Për një numër të madh të këtyre çerdheve, puna ka nisur tek sivjet, në fund të mandatit.
Gazeta Express kishte raportuar në janar të këtij viti, se si Ministria e Arsimit kishte publikuar rreth 19 njoftime paraprake për ndërtimin e çerdheve në vend. Ndërtimi i tyre parashihej të kushtonte mbi 14 milionë euro.
Në këto njoftime figuronte se çerdhet do të ndërtoheshin në Bardhosh të Prishtinës, Pejë, Bresalc të Gjilanit, Polac të Skënderajt, Bellanicë të Malishevës, Zhur të Prizrenit, Brodsanë të Dragashit, Petrovë të Shtimes, Roganë të Kamenicës, Prishtinë, Rekë-Vatë të Kaçanikut, Gurakoc të Istogut, Magure të Lipjanit, Vushtrri, Klinë, Fushë Kosovë, Lubizhdë të Prizrenit, Gjilan (Dheu i Bardhë) dhe te “Livadhi i Arapit”, poashtu në Gjilan.
Ndërtimi i çerdheve ishte përfshirë edhe në programin qeverisës për vitet 2021-2025, por aty nuk ishte specifikuar numri i çerdheve që do të ndërtoheshin.
“Përmirësimi i qasjes dhe përfshirjes në edukimin në fëmijëri të hershme do të arrihet nëpërmjet ndërtimit të çerdheve të reja, ridestinimit të hapësirave shkollore për këtë nivel si dhe ofrimit të kushteve preferenciale të pagesës ose lirimit nga pagesa për familjet në nevojë”, thuhej në program.