Kryeministri Albin Kurti konfirmoi edhe njëherë sot se është larg arritja e një marrëveshje me SBASHK-un për ndërprerjen e grevës.
Në një konferencë për media, Kurti s’ishte i kënaqur që u pyet për grevën, ndërsa tha se do të përsëris diçka që tashmë e ka thënë për këtë çështje
“Unë jam i bindur që zgjidhja më e mirë, më e drejtë, më e dobishme, është që edhe mësimdhënësit, edhe nxënësit të shkojnë në shkollë që të mësojnë. Dhe kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve, por edhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë sonë”, tha ai.
Kryeministri tha se Qeveria po i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme dhe përsëriti vlerësimin si “shantazh” për kërkesat e SBASHK-ut.
“Duhet të gjejmë një zgjidhje sa më parë, mirëpo ne kemi bërë shumë hapa. Ajo çfarë nuk kemi parë është heqja dorë nga shantazhi se o kaq, o nuk shkojmë në punë”, tha Kurti.
Ai tha se punëtorët “duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”.
“Duhet të keni parasysh që për të mbajtur e mirëmbajtur drejtësinë në vend, të gjithë njerëzit që përfitojnë paga, duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”, u shpreh ai.