Një paralajmërim i frikshëm qëndron në hyrje të këtij fshati, për të cilin ka dëgjuar i gjithë bota. Megjithatë, ata që e kanë vizituar thonë se të jep një ndjesi të çuditshme
India është vend i tregimeve. Në të jetojnë miliona legjenda popullore dhe mite, në të cilat një pjesë e mirë e njerëzve ende besojnë. Një nga vendet më misterioze në vend është fortesa Bhangarh, për të cilën thuhet se është e banuar nga fantazmat. Ajo është monument i mbrojtur nën kujdesin e Institutit Arkeologjik të Indisë (ASI), gjë që është njëkohësisht arsyeja pse qëndrimi aty natën është i ndaluar.
Fantazma, të paktën sipas rojeve – nuk ka. Megjithatë, pas perëndimit të diellit në fortesë ndonjëherë hyjnë ata që duan të binden vetë si duket ai vend, pavarësisht se hyrja është e paligjshme. Përjetimet e tyre shpesh i ndajnë në forume dhe blogje, duke pohuar se rojat i kanë lënë të kalojnë kundrejt ryshfetit. Për hyrjen natën nevojitet leje e veçantë nga autoritetet indiane.
Nëse rruga ju çon në këtë pjesë të Indisë, Bhangarh ndodhet 78 km nga Jaipur. Mund të merrni një taksi, më së miri atë që ka një gomë rezervë, pasi rrugët nuk janë fort të mira. Fortesa ndodhet mes Jaipurit dhe Alwarit, në shtetin federal Rajasthan. Edhe pse në rrënoja, ajo vazhdon të jetë magjepsëse për shkak të ambientit të qetë e të gjelbër, mbetjet e braktisura dëshmojnë për një mbretëri dikur madhështore, të cilën e ndërtoi Madho Singh, vëllai më i vogël i gjeneralit të famshëm Man Singh, transmeton Telegrafi.
Kujtime nga e kaluara
Njohësit pohojnë se peizazhi që të çon deri te fortesa është i shkretë dhe ngulfatës, dhe të jep një ndjesi të çuditshme, por jo edhe takim me fantazma. Megjithatë, tregimet lokale flasin për njerëz të zhdukur dhe zëra të çuditshëm që dëgjohen nga rrënojat. Në vetë hyrjen vizitorët i pret një paralajmërim nga Instituti Arkeologjik i Indisë:
“Hyrja në Bhangarh para agimit dhe pas perëndimit të diellit është rreptësishtë e ndaluar.”
Hyrja kryesore të çon përmes mbetjeve të qytetit të vjetër, dhe brenda mureve ndodhen mbetje pallatesh, tempujsh dhe tregjesh të braktisura.
Banorët vendas besojnë se ata që kanë hyrë në fortesë natën nuk janë gjetur kurrë më. Një nga legjendat flet për një magjistar të fuqishëm që ndaloi që ndonjë shtëpi në Bhangarh të ishte më e lartë se e tija. Nëse hija e saj do të binte mbi shtëpinë e tij, qyteti do të zhdukej. Nipit të Madho Singut, Ajab Singh, nuk i interesoi ky paralajmërim dhe ndërtoi një ndërtesë të lartë. Hija ra mbi shtëpinë e magjistarit – dhe qyteti u zhduk.
Një version tjetër i legjendës thotë se ai magjistar ishte i dashuruar me princeshën Ratnavati. Një ditë, ai zëvendësoi parfumin e saj me një eliksir që do ta detyronte ta dashuronte. Ratnavati zbuloi mashtrimin dhe hodhi enën me eliksirin mbi një gur, i cili u rrokullis dhe e vrau magjistarin. Para se të vdiste, ai mallkoi tërë qytetin, duke thënë se Bhangarh do të shkatërrohej dhe askush nuk do të mund të jetonte më aty.