Zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 24 prill për president dhe më 8 maj për parlament mund të kthejnë Maqedoninë e Veriut drejt Rusisë. Duke sjellë në pushtet një regjim hibrid, sikur ai midis 2013 dhe 2017, në të cilën periudhë u përgjuan më shumë se 20,000 persona nga shërbimi Gruevski – Mihajlkov. Nga ky regjim, shqiptarët nuk trajtoheshin si qytetarë të barabartë në shtetin e tyre.
Sot, nëse shëtisim nëpër çarshinë e vjetër të Shkupit, takojmë shumë njerëz që, pasi të përmendesh politikën, fillojnë të largohen, duke mos dashur të flasin fare, edhe pse shqiptarët kurrë nuk kanë jetuar mirë.
Pse ndodh kjo?
Sepse votuesit shqiptarë nuk po i besojnë asnjë alternative? Çka po ndodh me diasporën shqiptare nga Maqedonia e Veriut, ku nga 120 mijë shqiptarë, vetëm, afërsisht, 3 mijë janë regjistruar për të votuar?
Sot, vota protestë që po ndodh në shumë vende do të ndodhë edhe në këto zgjedhje. Kjo votë sjell në pushtet forca ekstremiste të djathta, të cilat janë shumë të dëmshme për shoqërinë. Por nepotizmi që shfaqet kudo i ka lodhur qytetarët, saqë shumë vështirë është të i bindesh ata të dalin në zgjedhje.
Fushata filloi dhe ata që kanë qeverisur vendin u zhdukën, duke mos u hyrë garës për deputet në asnjë zonë zgjedhore. Kjo tregon se ata e kanë ndjerë forcën e votës proteste, e cila solli shumë nacionalistë të rremë në pushtet në shumë vende të Evropës dhe Ballkanit. Edhe pse Fronti ka ekipe fantastike, por formacionin po e zgjedhe dikush tjetër.
Kush do të fitojë betejën në Çair?
Votuesit shqiptarë nuk do të kenë mundësi të shohin një garë mes Artan Grubit dhe Izet Mexhidit, dy oponentë kryesorë nga të cilët doli “Grupi i Zjarrit”, fraksion i shuar i BDI-së. Çairi është një barometër i mirë që tregon se kush është më i fortë, edhe pse qytetarët nuk duan të flasin për asnjërin grup.
Partia më e madhe e Frontit Evropian, BDI, me liderin e saj, Ali Ahmeti, vendosi të dalë në zgjedhje me gardën e vjetër, e cila nuk do të duhej të pranonin që të hynë në lojë pa ata të cilët mbajtën poste qeveritare.
Garda e të rinjve, në vend që të ju ndihmojë nga tribunat, ata me një tifozllëk ultra për “shefat imagjinar”, vetëm sa po e ndezin luftën, jo me partitë maqedonase, por me partitë shqiptare, të cilat duhet të unifikoheshin që të mblidhet secila votë shqiptare që kap shifrën 300 mijë.
Lufta e ulet në kampin shqiptar do të ketë koston e vetë, sepse është shumë e vështirë të arrihet 30 deputetë shqiptarë në katër zona zgjedhore, ku shqiptarët kanë votuesit e tyre. Me një fushatë të mirë, do të kishim votat e mjaftueshme për një president shqiptar, duke i kushtëzuar maqedonaseve formimin e qeverisë.
Pse flasim për njerëzit e Albin Kurtit në këtë shtet? Ata nuk mund të fitojnë votat e lagjes së tyre, prandaj ekspozimi i këtij problemi, si besojnë as ata që e flasin, e le votuesin në Maqedoni. Ali Ahmeti është shumë herët në politikë dhe sigurisht e ka parë se si pësoi Hashim Thaçi kur i besoi disa gazetarëve mercenarë, akuzat e të cilëve ndaj tij janë të njohura për të gjithë. Ali Ahmeti nuk është aq naiv sa të besojë se armiku i djeshëm është mik i sotëm. Të paktën ka lexuar shtypin pas luftës, ku jo rrallë herë është etiketuar emri i tij. Ali Ahmetin betejat në luftë e as në paqe nuk i ka fituar vetëm. Asnjë nga postet që kanë shqiptarët nuk është fituar pa aleat dhe bashkëpunim me forca tjera politike. Ali Ahmetin duhet ta pengojë fakti kur disa servil e quajnë rilindës, hero dhe baba të kombit. Ende nuk jemi aty ku duhej të jemi.
Ku është baza e Frontit Evropian?
Fushata e Frontit Evropian duhet të jetë në frymën e Evropës, me debate me votuesit, me kandidatët duke i sfiduar njeri-tjetrin, jo me “disa” që nuk e dinë se në sa zona zgjedhore ndahet shteti, sa votues dalin, e shumë gjëra të tjera. Fushata bëhet në bazë dhe jo në rrjete sociale. Ku është baza e Frontit, Gostivari? Tetovë? Shkupi? Kumanova apo Saraj.
Kandidati i Frontit Evropian për president, z. Bujar Osmani, po bënë një fushatë të qetë. Puna e tij në OSCE u vlerësua jo vetëm nga të gjithë liderët në rajon dhe më gjerë, por edhe nga e gjithë Evropa.
Por në vend që në autobusin e tij të ketë lider evropian, koleg dhe përkrahës të vijës së tij, fatkeqësisht në autobusin e tij ka njerëz që po e udhëzojnë që ky autobus të shkojë në rrugë pa krye. Këshilla ime është pastro autobusin nga miqtë të cilët nuk punojnë për ty, që në stacionin e parë. Përndryshe, gara e juaj përfundon më 24 prill.
Fronti Evropian është në garë me VMRO/DPMNE dhe aleatet e saj, të cilët në secilin miting elektoral, lideri i tyre Hristijan Mickoski thotë se Maqedonia qeveriset nga treshja Ahmeti, Grubi dhe Osmani, duke bërë akuza të renda ndaj tyre.
Pse duhet të heshtim pse nuk reagohet?
Pse nuk flasim për skandalin më të madh korruptiv dhe krimin në historinë e Maqedonisë, të njohur si “Projekti Shkup 2014”, të cilin e realizuan këta që sot duan të minojnë projektin evropian të Maqedonisë së Veriut?
Pse heshtim para Hristijan Mickoskit dhe bandës së tij që do të çojë vendin drejt lindjes për të minuar sukseset e vendit në dekadat e fundit?
Pse duhet t’i amnistojmë kriminelet e 27 prillit?
Ata, asnjëherë nuk kërkuan falje për sulmin ndaj deputetëve në tempullin e tyre duke tentuar për të vrarë shumë prej tyre. Apo ata kriminel sot i quajnë mbrojtës të kushtetutës, mbrojtës të shtetit.
Pse sot në tubimet e Frontit Evropian nuk kemi fotografi të liderëve të tjerë? Pse nuk është fotografia e Zijadin Selës, pa votën e të cilit nuk do të kishim kryeministër e parlamentar shqiptar?
Fronti Evropian është krijuar për të marrë votën e secilit dhe të shkojë në secilën lagje për të inkurajuar secilin të dalë në votime që të mposhtë nacionalistët e VMRO-DPMNE dhe Levicën.
Prandaj në front janë edhe bashkësitë tjera etnike. Opozita shqiptare do të marrë numër dy shifrorë deputetësh bazuar në votën protestë, e jo për vlerat e tyre. Fushata e tyre duhet të përqendrohet kundër atyre që duan të rrënojnë Maqedoninë e Veriut dhe jo kundër shokëve të tyre të djeshëm. Opozita Vlen po përdor politikën e injorimit dhe heshtjes, sepse nuk kanë ç’të flasin, duke e ditur se shumica e tyre deri dje kanë ndarë kulaçin qeveritar së bashku.
Sot, 23 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe 20 vjet pas hyrjes në fuqi të saj, anëtarësimi në Bashkimin Evropian duket si mision i pamundur nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, për të cilat duhet vota e 2/3 e Parlamentit të ri. Me këtë klasë politike, këto zgjedhje nuk do të mund t’i japin vendit një qeveri stabile. Por gjithçka e mirë në këtë histori është se Talat Xhaferi do të jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut për 100 ditë tjera i cili duhet të ishte kudo më Bujar Osmanin.
Ende keni kohë zgjohuni… se zgjedhjet nuk fitohen me këngën e Hajredin Pashës