Udhëheqësi i Krimesë i emëruar nga Moska tha të mbrëmë se rajoni është gati për atë që mund të jetë një kundërofensivë e afërt ukrainase.
Sergei Aksyonov u tha gazetarëve se forcat ruse në Krime kanë ngritur masa “mbrojtëse moderne” dhe kanë trupa dhe pajisje mëse të mjaftueshme për të zmbrapsur një sulm të mundshëm ukrainas, gati 14 muaj pasi fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Ne nuk mund ta nënvlerësojmë armikun, por mund të themi se jemi gati (për një sulm) dhe se nuk do të ketë katastrofë”, tha ai.
Komentet e tij erdhën disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti synimin e Kievit për të rimarrë gadishullin e Detit të Zi që Rusia e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.
Zoti Aksyonov njoftoi fillimin e punimeve fortifikuese në Krime në nëntor, pa dhënë detaje. Në shkurt, në një takim mbi sigurinë, të kryesuar nga presidenti rus Vladimir Putin, ai tha se punimet ishin caktuar të përfundonin deri në prill.
Imazhet satelitore nga kompania “Maxar Technologies” tregojnë një rrjet llogoresh dhe fortifikimesh të tjera të gërmuara pranë Medvedivkas, një qytet i vogël pranë një kalimi kufitar midis Krimesë dhe Ukrainës, duke sugjeruar shqetësimet ruse për një sulm të mundshëm ukrainas atje.
Analistët ushtarakë presin që Kievi të përfitojë nga përmirësimi i motit dhe armët e reja nga perëndimi, duke përfshirë një numër tankesh dhe trupa të reja të trajnuara në Perëndim.
Forcat ukrainase mund të fillojnë një përpjekjet për të çarë korridorin tokësor midis Rusisë dhe Krimesë, duke u nisur nga Zaporizhzhia, Melitopoli dhe Deti Azov. Kjo mund të ndajë forcat ruse në dysh.
Megjithatë, forcat ukrainase përballen me një sfidë të madhe në përpjekjet për të larguar forcat ruse. Automjetet e tyre ushtarake ka të ngjarë të ndeshen me fusha të minuara, kanale anti-tank dhe pengesa të tjera, ndërsa sistemet e gjera të llogoreve ofrojnë mbrojtje për trupat e ruse.
Kremlini dëshiron që Kievi të njohë sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë dhe gjithashtu të njohë pavarësinë e provincave ukrainase të Donetskut, Khersonit, Luhanskut dhe Zaporizhzhias, të aneksuara shtatorin e kaluar. Ukraina është zotuar të dëbojë rusët nga të gjitha territoret e pushtuara dhe ka përjashtuar çdo bisedë me Moskën para se ajo të rimarrë plotësisht kontrollin e territoreve së saj.
Pjesët e kontrolluara nga Ukraina të katër provincave kanë ndjerë barrën e bombardimeve ruse në muajt e fundit dhe shtatë civilë u plagosën nga bombardimet ruse në Donetsk dhe Kherson të hënën, njoftoi zyra e presidentit të Ukrainës të martën.
Rusia të martën përdori gjithashtu avionë Su-35 në sulmet ndaj dy qyteteve në rajonin e Zaporizhzhias, tha kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës.
Andriy Yermak tha në një postim në Telegram se autoritetet lokale po vlerësonin dëmet në qytetet e Orikhivit dhe Huliaipoles, të cilëtt kishin nga 14 mijë banorë secili para fillimit të luftës.
Artileria ruse goditi gjithashtu një kishë në Kherson, duke dëmtuar çatinë, dritaret dhe muret e saj, njoftoi administrata ushtarake rajonale e Ukrainës përmes një postimi në Telegram. /VOA/