11.1 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Francë, partitë e majta dhe të qendrës thirrje për aleancë të përbashkët kundër të djathtës ekstreme

- Advertisement -

E djathta e skajshme në Francë kurrë nuk ka qenë më afër pushtetit pas fitores në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme, që u mbajtën të dielën.

Ky rezultat i jashtëzakonshëm mund t’i mundësojë marrjen e pushtetit të djathtës ekstreme si dhe një kryeministri që përfaqëson të njëjtën linjë përpara Lojërave Olimpike që mbahen në Paris, nëse ajo fiton shumicën e votave në raundin e dytë, që mbahet më 7 korrik.

Partitë e majta dhe të qendrës po bëjnë thirrje për një aleancë të përbashkët kundër ekstremizmit në njërin prej shteteve më të rëndësishme të Evropës.

Partia e djathtë Bashkimi Kombëtar dhe drejtuesja e saj Marine Le Pen po festojnë rezultatet e fundit. Ajo ka kaluar vite të tëra duke transformuar imazhin e partisë së saj me agjendë kundër emigracionit nga një lëvizje e dorës së dytë, me prirje raciste, në një alternativë të pranueshme politike.

Puna e saj duket se u shpërblye të dielën – Bashkimi Kombëtar mori një të tretën e votave, duke u radhitur shumë përpara partisë së qendrës së Presidentit Emmanuel Macron dhe aleatëve të saj, të cilët morën pak mbi 20 për qind të votave, duke u radhitur në vendin e tretë.

Aleanca e majtë, Fronti i Ri Popullor, u radhit e dyta, me rreth 28 për qind të votave të fituara.

Dalja në zgjedhje ishte më e larta ndër vite, shenjë për rëndësinë që këto zgjedhje të parakohshme parlamentare bartin për votuesit. Zgjedhjet u thirrën nga Presidenti Macron – tre vjet para afatit kohor – pasi rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që u mbajtën në qershor fuqizuan partitë e djathta.

Analistët thonë se zoti Macron vuri bast se partia e tij dhe planet e tij për reforma disi do të mbizotërojnë, pas një periudhe ngërçi në dhomën e ulët të Parlamentit të Francës.

Por platforma e së djathtës – e ashpër ndaj krimit dhe emigracionit të jashtëligjshëm dhe e përqendruar në shqetësimet e përditshme – po rezonon me votuesit.

Presidenti i Bashkimit Kombëtar Jordan Bardella – i cili mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Francës nëse partia e tij fiton shumicën e vendeve në parlament – u bëri thirrje votuesve të mbështesin kandidaturën e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Jo të gjithë janë bindur. Në një qendër votimi në pjesën verilindore të Parisit, që konsiderohet bastion i të majtës, shumë votues janë të dëshpëruar nga mundësia e fitores së Bashkimit Kombëtar.

“Me qeverinë aktuale tashmë kishim disa politika të djathta, por gjërat vetëm sa do të përkeqësoheshin, sidomos e drejta për të protestuar, të drejtat e minoriteteve dhe të gjitha tjerat,” thotë votuesi nga Parisi, Matthieu Maguet.

Votuesja Emmanuela Konan nuk tregon se për kënd ka votuar – por ajo thotë se një fitore e Bashkimit Kombëtar do të jetë e vështirë për vendin.

Votuesja Christine Pekar votoi për aleancën e Presidentit Macron.

“Mendoj se ai ka treguar guxim politik duke nxitur të gjitha reformat gjatë shtatë viteve të fundit,” thotë ajo.

Në Paris dhe në pjesët tjera të vendit, njerëzit protestuan kundër partive të djathta pas shpalljes së rezultateve të raundit të parë.

Politikanët e majtë po bëjnë thirrje për një aleancë kundër ekstremizmit.

Të njëjtin apel po e bën edhe partia në pushtet në Francë – dhe kryeministri Gabriel Attal. Për t’u dhënë mundësi fitoreje partive kryesore, thotë ai, aleanca e tij do të tërhiqet nga raundi i dytë i zgjedhjeve në pjesët e vendit ku nuk qëndron mirë dhe nuk ka shanse të fitojë.

Por përçarjet ndërmjet zotit Macron dhe të majtës janë të thella. Dhe përkundër përpjekjeve për t’i ngushtuar ato, ekziston mundësia që Bashkimi Kombëtar do të tregohet i pandalshëm./VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit