Marshimet tradicionale të Ditës së Punëtorëve në Francë, janë shndërruar në demonstrata antiqeveristare kundër rritjes së moshës së pensionit.
Demonstrues të shumtë janë mbledhur në Paris dhe qytete të tjera, duke u përleshur me policinë që për shpërndarjen e tyre ka përdorur edhe gaz lotsjellës.
Sipas The Guardian në Paris demonstrata e udhëhequr nga sindikatat filloi në mënyrë paqësore me shumë familje që u bashkuan, duke mbajtur pankarta që bënin thirrje për drejtësi sociale dhe duke kërkuar që Macron të japë dorëheqjen ose të tërheqë ligjin e tij për të rritur moshën minimale të pensionit nga 62 në 64 vjeç.
Megjithatë, teksa marshimi vazhdoi, policia hodhi u përlesh me grupe të rinjsh të veshur me të zeza, të cilët në drejtim të policisë, kanë hedhur predha e bomba benzine, duke shkaktuar edhe plagosjen e një oficeri.
Bëhet e ditur se janë thyer disa stacione autobusësh në Paris dhe janë thyer dyqane, ndërsa gjithë ditën ka pasur 180 arrestime në të gjithë vendin.
Ndërkohë, në protesta të veçanta, aktivistët mjedisorë nga Extinction Rebellion kanë spërkatur bojë portokalli në fasadën e muzeut të Fondacionit Louis Vuitton në Paris, i cili mbështetet nga gjigandi i mallrave luksoze LVMH. Një grup tjetër protestash mjedisore ka spërkatur bojë rreth Place Vendome në qendër të Parisit, i njohur për dyqanet e tij të bizhuterive, si dhe ka shënjestruar fasadën e ministrisë së Drejtësisë.
Kujtojmë se muajin e kaluar, Macron nënshkroi në ligj një rritje të papëlqyeshme të moshës minimale të pranueshme për pensionet shtetërore nga 62 në 64, pavarësisht grevave që zhvillohen prej muajsh.