Planet buxhetore të qeverisë franceze për vitin 2026 bazohen në supozime tepër optimiste për ekonominë, ndërsa masat e kursimit mund të rezultojnë të pamjaftueshme, ose mund të mos zbatohen fare nëse administrata e re rrëzohet, paralajmëron institucioni i pavarur fiskal mbikëqyrës, raportojnë mediat e huaja.
Kryeministri Sebastien Lecornu, i cili u rizgjodh të premten pasi dha dorëheqjen në fillim të javës së kaluar, paraqiti projektbuxhetin e vitit 2026 në parlament, duke u përballur me mundësinë e një mocioni mosbesimi nëse opozita e majtë nuk pranon planet e tij për shtrëngim fiskal.
Meqë diferenca e interesit për obligacionet franceze është e lartë dhe vlerësimet e kredisë janë nën presion, tregjet financiare po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme ndaj trazirave politike, të cilat e bëjnë gjithnjë e më të largët mundësinë që Franca të vërë në rregull financat e saj publike.
Ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës kishte vitin e kaluar një deficit buxhetor pothuajse dyfish më të lartë se kufiri 3% i Bashkimit Evropian dhe një raport borxh ndaj PBB-së që po shkon drejt 118% , më i larti në BE pas Greqisë dhe Italisë, sipas Eurostat-it.
Presidenti Emmanuel Macron ka ngarkuar pesë kryeministra të ndryshëm brenda më pak se dy vitesh për të ulur deficitin – më të gjerin në eurozonë, dhe për të rivendosur ekuilibrin e financave publike të vendit.
Por pasi humbi kontrollin e parlamentit dhe përballë një opozite që kundërshton ashpër planet e tij për shtrëngim buxhetor, kryeministrat e Macron-it janë rrëzuar njëri pas tjetrit, duke marrë me vete edhe planet e tyre fiskale.
Buxheti i Lecornu-t, tashmë i dorëzuar për shqyrtim te Këshilli i Lartë i Financave Publike (Haut Conseil des Finances Publiques), synon të ngushtojë deficitin në intervalin midis 4,7% dhe 5% të PBB-së , një përmirësim i lehtë krahasuar me 5,4% këtë vit, tha institucioni mbikëqyrës.
“Plani mbështetet në një kursim buxhetor prej më shumë se 30 miliardë eurosh, që përfshin shkurtimin e lehtësimeve tatimore për korporatat, rregulla më të ashpra për kontributet e sigurimeve shoqërore, dhe taksat e reja, si një taksë për dërgesat e vogla dhe një taksë e jashtëzakonshme për kompanitë e sigurimeve shëndetësore suplementare”, tha Këshilli i Lartë.