Televizioni i njohur amerikan, “Fox News”, e ka raportuar parashikimin e vet që republikani Donald Trump do të fitojë edhe në shtetin kyç të garës për president, Pensilvani, duke u zgjedhur kështu përsëri president i Shteteve të Bashkuara.
“Desku i Vendimeve i Fox News-it projekton q ëish-presidenti Donald Trump e ka mposhtur nënpresidenten Kamala Harris në një fitore mahnitëse, duke i dhënë atij një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, pas një cikli zgjedhor historik, të mbushur me kthesa të pashembullta dhe dy tentative kundër jetës së tij” – thuhet në artikullin e televizionit amerikan.
“Trumpi do të jetë presidenti i parë që shërben në dy mandate me ndërprerje mes tyre që nga presidenti Grover Cleveland më 1892 – dhe vetëm i dyti në histori” – thekson televizioni “Fox News”.
Trumpi fillimisht ishte zgjedhur president më 2016, duke e mposhtur ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton. Ai i humbi zgjedhjet presidenciale më 2020 nga presidenti Joe Biden gjatë pandemisë së koronavirusit, por u rikthye në Shtëpinë e Bardhë më 2024 pas një fushate gati dyvjeçare, duke u zotuar se do ta bëjë “Amerikën edhe një herë të mrekullueshme”, raporton televizioni.