17.1 C
New York
Sunday, April 20, 2025

Buy now

Fotografia e 9-vjeçarit palestinez të amputuar fiton World Press Photo 2025

- Advertisement -

Fotografia shfaq një djalë palestinez 9-vjeçar, i cili humbi të dy krahët teksa përpiqej t’i shpëtonte një sulm izraelit në Gaza.

Fotografia e një djali palestinez 9-vjeçar, i cili humbi të dy krahët teksa përpiqej t’i shpëtonte një sulm izraelit në Gaza, ka fituar çmimin kryesor në konkursin World Press Photo 2025.

Imazhi, i shkrepur nga fotografja palestineze Samar Abu Elouf për The New York Times, është një portret i Mahmoud Ajjour, i cili u evakuua në Doha pas një shpërthimi vitin e kaluar që i preu njërin nga krahët dhe ia gjymtoi tjetrin.

“Një nga gjërat më të vështira që ma shpjegoi nëna e Mahmoud ishte se kur ai kuptoi se i ishin prerë krahët, gjëja e parë që i tha asaj ishte: Si mund të të përqafoj?”, ka treguar Elouf.

Me origjinë nga Gaza, fotografja u evakuua gjithashtu në dhjetor 2023.

Tani ajo shkrep portrete të palestinezëve të plagosur rëndë nga lufta, që jetojnë në Doha.

“Është një foto e heshtur, por flet fuqishëm. Tregon historinë e një djali, por edhe të një lufte më të madhe që do të ndikojë në brezat e ardhshëm”, ka thënë Joumana El Zein Khoury, drejtoreshë ekzekutive e World Press Photo.

Juria mësohet se ka “vlerësuar përbërjen e fortë dhe fokusin ndaj dritës” të fotografisë, si dhe temën që provokon mendime, veçanërisht pyetjet për të ardhmen e të miturit.

“Mahmoud ka një ëndërr shumë të thjeshtë: ai dëshiron të marrë proteza dhe të jetojë jetën e tij si çdo fëmijë tjetër”, kanë treguar organizatorët e World Press Photo në një deklaratë.

Juria ekzaminoi 59 mijë e 320 fotografi të bëra nga 3 mijë e 778 fotoreporterë për të zgjedhur 42 fotot e vlerësuara nga e gjithë bota. Fotografët e Agence France-Presse janë përzgjedhur katër herë për një çmim rajonal.

Luis Tato fitoi çmimin në kategorinë “Stories” për rajonin e Afrikës, me një përzgjedhje fotografish që përshkruajnë kryengritjen e rinisë keniane.

Jérôme Brouillet fitoi kategorinë “Singles” për rajonin e Azisë-Paqësorit dhe Oqeanisë me foton e tij ikonike të Gabriel Medina që duket sikur ngrihet mbi valët e detit gjatë Lojërave Olimpike.

Clarens Siffroy fitoi në kategorinë e “Stories” të Amerikës së Veriut dhe Qendrore për raportimin e tij mbi krizën e bandave në Haiti.

Kurse Anselmo Cunha fitoi në kategorinë “Singles” për Amerikën e Jugut me foton e tij të një Boeing 727-200 të bllokuar në Aeroportin Ndërkombëtar Salgado Filho në Brazil.

 

Të ngjashme

Të fundit