Forcat e Armatosura Greke kanë kryer sot hedhjen e ndihmës humanitare prej 8.5 ton ushqimesh në Rripin e Gazës, në një operacion të organizuar në bashkëpunim me autoritetet jordaneze dhe Ministritë e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare.
Në këtë mision morën pjesë dy avionë transportues, C-130H dhe C-27J, së bashku me personelin e Forcave Ajrore Helene dhe Komandën e Luftës Speciale (SWCC).
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në një postim në Facebook deklaroi: “Greqia do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa për ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të armatosur, lirimin e pengjeve dhe rrjedhën e papenguar të ndihmës humanitare në Gaza. Është detyrë e të gjithëve ne të ndalojmë menjëherë vuajtjet njerëzore.”
Operacioni, që u organizua në bashkëpunim me vendet e Bashkimit Evropian dhe Lindjes së Mesme, ka për qëllim të mbështesë nevojat themelore të banorëve të një rajoni të shkatërruar dhe në prag të urisë.
Banorët e Gazës përballen me sfida të mëdha, dhe kjo ndihmë synon të lehtësojë vuajtjet e tyre në këtë situatë kritike.