-4.7 C
New York
Monday, January 19, 2026

Buy now

Forcat amerikane tërhiqen nga Iraku

- Advertisement -

Qeveria irakiane ka bërë të ditur se forcat amerikane kanë përfunduar një “tërheqje të plotë” nga bazat ushtarake në territorin federal të Irakut, me përjashtim të Rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit, ku prania amerikane vazhdon.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut, grupi i fundit i këshilltarëve ushtarakë amerikanë është larguar nga Baza Ajrore Al-Asad në provincën Anbar, në perëndim të vendit, një objekt që ka strehuar trupa amerikane për më shumë se 20 vjet.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka qenë në proces tërheqjeje prej disa vitesh, pas kërkesës zyrtare të qeverisë irakiane në vitin 2023 për reduktimin e pranisë së saj, raporton CNN.

Po ashtu, koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit ekstremist Shteti Islamik është larguar nga selia e Komandës së Operacioneve të Përbashkëta, duke ia dorëzuar plotësisht objektet forcave irakiane të sigurisë.

Megjithatë, trupat amerikane vazhdojnë të qëndrojnë në Bazën Ajrore Harir, në provincën e Erbilit, e cila ndodhet në Rajonin e Kurdistanit.

Prania ushtarake e SHBA-së në Irak ka pësuar ndryshime të mëdha që nga pushtimi i vitit 2003. Në kulmin e angazhimit, numri i trupave amerikane arrinte në rreth 170 mijë. Në vitin 2011, ish-presidenti Barack Obama urdhëroi tërheqjen e forcave amerikane nga vendi.

Në vitin 2014, rreth 5 mijë trupa u rikthyen në Irak me kërkesë të qeverisë irakiane për të ndihmuar në luftën kundër ISIS-it. Që nga dhjetori i vitit 2021, kur SHBA-ja njoftoi përfundimin e rolit të saj luftarak, prania amerikane është reduktuar në rreth 2,500 trupa me funksione këshillimi dhe mbështetjeje.

Komanda Qendrore e Departamentit amerikan të Mbrojtjes konfirmoi për CNN se deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut lidhur me dorëzimin e bazave ishte e saktë, por pa ofruar detaje shtesë.

Tërheqja e fundit ndodh në një kohë tensioni të shtuar rajonal mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj Iranit, në mes të protestave të përgjakshme kundër regjimit autoritar në Teheran.

Të ngjashme

Të fundit