11.4 C
New York
Thursday, May 22, 2025

Buy now

Fondet nga Plani i Rritjes, Bislimi: Kosova i është përmbajtur të gjitha afateve, BE-ja është vonuar

Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi ka dhënë disa sqarime në lidhje me fondet që Kosova pritet t’i pranojë nga Plani i Rritjes së BE-së.

Ai ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian.

Në profilin e tij në “Facebook”, Bislimi ka fajësuar BE-në për vonesa në këtë aspekt.

Sipas tij, nëse Komisioni Evropian do t’i përmbahej afateve të paracaktuara, Kosova sot do ta kishte një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes.

“Fillimisht, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme përveçse në kohë, edhe me cilësi. Mirëpo, si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk do të humb asnjë cent nga ky fond.

“Sidoqoftë, është mëse e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen. Së fundmi, edhe pse konstituimi i Kuvendit ende nuk është përfunduar, dhe anëtarët e Qeverisë janë në detyrë, aparati shtetëror prapë funksionon si gjithmonë. Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen”, ka shkruar Bislimi.

Të ngjashme

Të fundit