Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se kishte pasur dy takime me Rexhep Selimin, e që i fundit sipas tij kishte ndodhur në shtator të vitit 1998.
Takimi i cili pretendohet të ketë ndodhur më 21 shator 1998 në të cilin ishte i pranishëm edhe Hashim Thaçi, dëshmitari tha se ka qenë më shumë për këshillim dhe jo për të marrë detyra nga ata të dy.
“Unë kam udhtu në Abri për këshillim me këta dy persona se e kam ditë që janë atje sepse paraprakisht e kam pa situatën e komplikume në zonën ku kam vepru. Unë kam shku për konsultim. Jam konsultu dhe kemi bisedu për mënyrat dhe format se si mundemi me u gjet mas miri në atë situatë. Më tepër ka qenë këshillim se marrje detyrash. Tash interpretimi se si ka mujtë me rrjedhë nuk e di se ata nuk më kanë caktu detya, por kemi komuniku për halle dhe probleme që kemi pas në atë periudhë”, tha Fondaj.
Dëshmitari tha se në atë takim janë dhënë këshillime, por edhe vërejtje.
Ai tha se ka qenë adhurues i vijës së vogël ushtarake që kanë pasur dhe si shenjë respekti personal ka dashur që të jetë në koordinim të plotë me strukturat komanduese por jo që ka qenë detyrim.
Ndërsa, hera e parë kur është takuar me Selimin, dëshmitari tha se ka qenë në mes datave 10 dhe 11 shtator 1998.
“Me zotëri Selimin jam taku paraprakisht me datën 10-11 shtator në fshatin Dobërdolan. Ai ka qenë bashkë me Hashim Thaçin dhe ata kanë vazhdu në Abri, prandaj e kam ditë që kanë qenë në Abri. Ndërsa, në Abri ka qenë kontakti i fundit me Selimin gjatë luftës. Pra, gjatë luftës jam takuar vetëm dy herë me Rexhep Selimin. As mas luftës deri dje”, tha Fondaj, raporton Betimi për Drejtësi.
Fondaj foli edhe për Sokol Bashotën për të cilin tha se e ka njohur me nofkën “10-shi”
“Kur kom kontaktu me atë kam kontaktu si me 10-shin. Nuk e kam ditë se kush është 10-shi. Kur jemi taku e kam kuptu se kemi të bëjmë me një person që emri i tij ishte Sokol Bashota”, tha ai.
Fondaj: Veseli ka qenë jashtë Kosovës, kontakti i parë me atë ka qenë në prill 1999
(Përditësuar, ora 10:46)- Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli kontaktin e parë kur ai ishte emëruar udhëheqës i Zbulim Kundërzbulimit e kishte pasur në prill të vitit 1999.
Fondaj tha se në këtë cilësi, kontaktin e parë me Veselin e kishte pasur në fund të muajit prill dhe se deri atëherë nuk e dinte që është kthyer në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kur u shku nuk e di, por realisht unë diku e kam taku në muajin prill 1999. Deri atëherë nuk kam qenë në dijeni që është kthy dhe kontakti i parë që kam pasur me atë ka qenë në fund të muajit prill”, tha dëshmitari.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument i marsit të 1999-ës, në të cilin Halil Çadraku dhe Sadik Halitjaha kishin bërë ankesë në Shtabin e Përgjithshëm. Për këtë, dëshmitari tha se data e këtij dokumenti nuk përkon me periudhën kur Veseli ka qenë në territorin e Kosovës.
“Vetëm e di që ai nuk ka qenë në territor të Kosovës. Kaq”, tha Fondaj.
Dëshmitari tha se është i vetmi dokument që dëshmitari kishte parë që Çadraku ia kishte dërguar Shtabit të Përgjithshëm. Ai shtoi se nuk dinte për punën dhe veprimtarinë e Çadrakut.
“Këtë dokument pas luftës e kam pa dhe s’e kam pa gjatë fazës së luftës dhe po është i vetmi dokument. Unë nuk kam informacion dhe s’e di për veprimtarinë dhe punën e tij…Unë nuk kam qenë në dijeni të punës së Çadrakut, por vetëm informacionin që e bazoj unë është në këtë dokumentin që ju mbani në dorë. Nuk kam dyshu që ai nuk po punon dhe ka punu keq, por lëshimet i ka bërë prej mosdijes. Kur njeri nuk di vjen tek injoranca dhe mosdija. Nuk besoj që ka pas ndonjë tendencë të caktume”, tha dëshmitari.
Tutje, avokati Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a është e drejtë të thuhet se në rast që Çadraku mund të ketë folur në ndonjë rast privatisht me ndonjë nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka pasur mundësi që ky person të jetë Veseli për shkak se ai në atë periudhë nuk ka qenë në Kosovë.
“Është e vërtetë që Veslei nuk ka qenë në Kosovë në atë periudhë”, u përgjigj Fondaj.
Tutje, Emmerson i tha dëshmitarit se a pajtohet të thuhet që ky dokument i prezantuar është thjesht një dokument me ankesa për funksionin e brigadës dhe jo që ka qenë ndonjë përmbajtje me informacion zbulimi apo inteligjencës, pra është ankesë për komandantin e zonës.
“Realisht është i titullum edhe si një deklaratë. Nuk është raport”, tha Fondaj.
Tutje, me pyetje për këtë dëshmitar vazhdoi mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts.
Vazhdon dëshminë Kurtesh Fondaj në rastin Thaçi dhe të tjerët, thotë se s’ka qenë pjesëtar i FARK-ut
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë ish-ushtari i Zonës Operative të Pashtrikut, Kurtesh Fondaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Fondaj tha se nuk ishte pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Në seancën e së martës, pyetjet për këtë dëshmitar i ka vazhduar avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.
Mishetiq u fokusua tek një intervistë e dëshmitarit me Zyrën e Prokurorit të Specializuar lidhur me disa akuza që supozohet që i kishte bërë Halil Çadraku që kinse Fondaj ishte anëtar i Forcës së Armatosur të Republikës së Kosovës (FARK).
“Është e vërtetë se ka ekzistu formacioni UÇK dhe fillimisht ka ekzistu Ministria e Mbrojtjes në Qeverinë Bukoshi, mirëpo edhe formacionet që janë formu në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes janë quajt FARK. Në periudhën tetor-nëntor, ka pas iniciativa edhe kogja shumë përpjekje që këto dy subjekte ushtarake të unifikohen në një dhe gjatë fazës së muajit nëntor është arritë një marrëveshje ushtarake për unifikim të ushtrisë. Për sa i përket mua, unë si pjesëtar i FARK-ut nuk kam qenë, unë kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Por edhe dje gjatë intervistave e përmenda se FARK-u në territorin e Kosovës kanë vepru si njësi e UÇK-së. Pra, ata e kanë pas edhe emblemën edhe i kanë raportu Shtabit të Përgjithshëm në nivel të Kosovës dhe jo Ministrisë së Mbrojtjes. Kur them ‘jo’, kjo mundet me qenë me rezervë, por që i kanë raportu Shtabit të Përgjithshëm është evidente”, u përgjigj.
Fondaj shtoi se pretendimi i Çadrakut mund të ketë qenë pasi dëshmitari kishte kërkuar unifikimin e FARK-ut dhe UÇK-së. Ai shtoi se FARK-u ka figuruar në Shqipëri dhe jo në Kosovë.
Fondaj tha se është përpjekur që jeta në ushtri të jetë institucionale, për çka tha se mendon se kjo është arritur.
Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson, Fondaj tha se Çadrakut i ishte tërhequr vërejtja nga Ekrem Rexha për veprimtaritë e tij gjatë funksionit të tij si pjesëtar i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ).
Fondaj gjithashtu shtoi se Çadraku e kishte cilësuar këtë vërejtje si tendencë për bllokimin e punës së ZKZ-së.
Dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se përfaqësuesi i ZKZ-së brenda brigadës së tij i merrte urdhrat nga komandanti i Brigadës.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit, i cili është i cili po e përcjell seancën përmes video-lidhjes. Në të njëjtën formë, është i pranishëm edhe gjyqtari Christopher Barthe, për të cilin kryetari i turpit gjykues Chalres Smith tha se për arsye personale nuk ka mundur të jetë i pranishëm fizikisht në sallë.
Përpara se të dëgjohet dëshmia e këtij dëshmitari, avokati Emmerson kërkoi që të kalohet në sesion privat për t’i trajtuar disa çështje, e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor