14.3 C
New York
Sunday, October 12, 2025

Buy now

Foda thotë se Kosova do të luajë ndaj Suedisë njëjtë si herën e kaluar

- Advertisement -

Kombëtarja e Kosovës do të luajë nesër, më 13 tetor, ndaj Suedisë në Goteborg, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026.

Në konferencë për shtyp para ndeshjes janë paraqitur selektori, Franco Foda dhe sulmuesi, Fisnik Asllani.

Foda ka pasur disa fjalë për Suedinë, duke bërë me dije se do të jetë e vështirë ndaj një kundërshtari të tillë.

“Suedia është një kundërshtar i fortë, me kualitet, kanë lojtarë të fortë në sulm, me Isak, Elanga, Gyokeres, pavarësisht presionit që e kanë, do të jetë vështirë për ne”, tha ai fillimisht.

Tutje, ai shpjegoi mënyrën e lojës së Suedisë, teksa bëri me dije se si do t’i qaset Kosova ndeshjes së nesërme.

“Suedia nuk është e mirë vetëm në kundërsulme, por edhe në posedim. Është ekip që luan mirë me topin, bën presion shumë të lartë. Ne do të luajmë ngushtë dhe do të jemi kompakt në fazën defanzive. Kemi fituar ndaj Suedisë me një lojë të tillë, andaj do ta provojmë edhe nesër ashtu, është e vetmja formë që duhet të luajmë ndaj kundërshtarëve të tillë”, shtoi ai.

Më tutje, ai foli edhe për mungesat e Kosovës për takimin e nesërm.

“Të gjithë në grupin tonë e dëshirojnë vendin e dytë, normalisht. Të gjithë kanë gjasa, është një grup i fortë. Kemi kualitet në skuadër, dhe do t’i zëvendësojmë lojtarët që do të mungojnë. Do të shkojmë përpara me këtë grup futbollistësh që i kemi”, tha ai.

Foda ka thënë se e di si do të luajë Suedia, mirëpo duke thënë se e ka vetëm një dilemë.

“Presim një ndeshje të Suedisë të njëjtë, si në Prishtinë. Kanë luajtur njëjtë edhe ndaj Zvicrës. Kam shikuar shumë ndeshje të Suedisë, janë shumë agresivë. E vetmja dilemë që kam është se kush do të jetë në sulm me Isak, Elanga apo Gyokeres”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit