Trajneri i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, në konferencë për media ka folur përpara ndeshjes kthyese kundër Islandës që do të luhet nesër.
Foda u pyet se me cilin nga portierët do të startojë nesër, ku tha se për këtë do të flasë me portierët që ka në dispozicion dhe do ta marrr vendimin, teksa për ndeshjen tha se gjasat janë 50 me 50.
“Siç e kam thënë edhe më herët do të jetë një përballje ku gjasat janë 50 me 50. Kjo u dëshmuar edhe në ndeshjen e parë, e cila ishte goxha e përafërt, ku edhe Islanda kishte mundësi të shënonte në disa situata, por edhe ne kishim mundësi të mira për të shënuar për 3:1”, tha Foda, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Foda tha se Islanda është skuadër që ka futbollistë të mirë, sidomos në aspektin ofansiv dhe sipas tij, do të jetë shumë e rëndësishme për Kosovën se si do të luajnë kur kundërshtari do ta ketë posedimin e topit.
“Mënyra se si do të reagojmë dhe energjia që do të kemi për të luftuar dhe për ta rifituar topin mund të jetë vendimtare për epilogun e ndeshjes”.
“Dhe ndonëse po e zhvillojmë një ndeshje si mysafirë, ne prapë do të mundohemi ta luajmë lojën tonë, të kemi raste dhe të provojmë të shënojmë gola”, tha ai.Kosova ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” e ka fituar me rezultat 2:1, dhe në rast të fitores apo barazimit do të ngjitet në Ligën B të Ligës së Kombeve