Franco Foda ka deklaruar se te Kombëtarja e Kosovës mund të ftohen lojtarë nga Superliga e vendit tonë.
Përzgjedhësi i “Dardanëve” vlerëson se në elitën e futbollit kosovar ka shumë talente, që duhet të vëzhguar.
“Sigurisht që do të shikoj edhe Ligën e Kosovës, atje ka shumë talente interesante”, tha ai në një intervistë për “Kronen Zeitung”.
Gjermani zbuloi se ka diskutuar tashmë rreth ftesave me ndihmësit e tij, Thomas Kristl dhe Robert Ibertsberger.
“Ne kemi pasur tashmë takime online dhe do të udhëtojmë shumë në javët e ardhshme për të vëzhguar dhe njohur lojtarët”, u shpreh Foda.
“Është një ekip emocionues dhe interesant, tani është koha për të njohur karakterin e ekipit”, shtoi tutje ai.
Kosova do të nisë aventurën me Fodan muajin e ardhshëm, në ndeshjet miqësore ndaj Armenisë dhe Hungarisë.
57-vjeçari foli edhe për synimet me “Dardanët”.
“Tani mund të provojmë disa gjëra të tjera, pastaj duhet të gjejmë shpejt një ekip. Ne duam të arrijmë ngjitjen në Ligën B dhe të arrijmë vendin e dytë në kualifikimet e Kupës së Botës. Nuk do të jetë e lehtë, por nuk është kështu për asnjë vend, shihni Italinë. Tani duam të zhvillojmë dhe përmirësojmë më tej ekipin”, deklaroi Foda.
Franco Foda me Kosovën ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare.