Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka dhënë një intervistë të gjatë të enjten për gazetarin e “Sky Sports” para Shtëpisë së Bardhë në Washington, ku të premten nga ora 18:00 do të mbahet ceremonia e shortit për Kupën e Botës që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Tekniku gjerman ka folur fillimisht për prezencën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka theksuar se Kosova dhe përfaqësueset e tjera pjesëmarrëse në plejofin për Kupën e Botës kanë ende gjasat e tyre për kualifikim.
Foda thotë se prania në short të jep ndjesinë se do të marrësh pjesë në Botëror.
Por ai ka pranuar se Kosova ka edhe rrugë për të bërë drejt kualifikimit historik.
Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Më 26 mars “Dardanët” luajnë me Sllovakinë në Bratislavë. Nëse fitojnë, më 31 mars presin Turqinë apo Rumaninë. Dhe me fitore edhe në atë ndeshje do të kualifikoheshin në Botëror.
“Kur je pjesëmarrës në një short ke ndjesinë se je në Kupën e Botës, edhe pse nuk jemi zyrtarisht ende, duhet të luajmë dy ndeshje kualifikuese, por a mund t’i fitojmë ato? Nëse kualifikohemi do të ishte e mrekullueshme”, ka thënë Foda.
Tekniku gjerman do të jetë i pranishëm në short së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Foda ka theksuar se Kosova ka pasur kampanjë të mirë kualifikuese. Në ngritjen e Kosovës, Foda thotë se rol kanë luajtur edhe Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.
“Kemi disa prurje të reja në muajt e fundit. Nuk duhet ta harrojmë Fisnik Asllanin dhe gjithashtu Albian Hajdarin, që janë lojtarë të Hoffenheimit. Ata pa dyshim e kanë bërë ekipin tonë shumë më të mirë. Dhe, po, kemi ekuilibër të mirë ndërmjet lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Kemi punuar shumë në muajt e fundit, kemi një strukturë të mirë brenda ekipit dhe do të thosha se kemi mposhtur disa shtete të mira si Suedia, Sllovenia dhe Islanda. Jemi në rrugën e duhur dhe tani na duhet të bëjmë dy hapat e fundit për t’u kualifikuar në Botëror”, është shprehur Foda.
Ai ka bindjen se Kosova është pjekur goxha shumë.
“Në të dyja ndeshjet mendoj se gjasat janë të barabarta, 50 me 50. Ndeshjen e parë e luajmë jashtë fushës sonë kundër Sllovakisë, e cila fitoi në shtëpi ndaj Gjermanisë 2:0. Sigurisht që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por nëse duam të shkojmë në Kupën e Botës, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Nëse mposhtim Sllovakinë, për fat të mirë do të kemi një ndeshje në shtëpi dhe pastaj do të përballemi ose me Turqinë ose me Rumaninë, gjithashtu jo ndeshje e lehtë. Por siç thashë, jemi në formë të mirë për momentin, kemi shumë më tepër vetëbesim dhe sigurisht që jemi të bindur se mund t’i mposhtim këto ekipe dhe të kualifikohemi për ngjarjen më të madhe të futbollit”, ka deklaruar Foda.
Ai është i lumtur që Austria ka siguruar kualifikimin në Botëror.
Trajneri gjerman e kishte udhëhequr me sukses Austrinë nga viti 2017 deri në vitin 2022. Nën drejtimin e Fodas, Austria luajti në Kampionatin Evropian të vitit 2021.
Foda ka zbuluar edhe favoritët për të fituar Botërorin.
“Spanja është njëra prej tyre, pastaj Argjentina, Gjermania. Gjermania ka treguar potencialin e saj, veçanërisht në ndeshjen e saj të fundit në shtëpi kundër Sllovakisë me fitoren 6:0. Mendoj se janë gjithmonë ekipet e njëjta që luftojnë deri në fund. Nuk mund ta injorosh as Anglinë e Thomas Tuchelit, sepse ekipi është shumë i mirë, shumë kompakt. Këto janë ekipet pretendente për mua”, ka theksuar Foda.
Foda është pyetur edhe për Fisnik Asllanin. Ai ka thënë se Asllani meriton të jetë në njërin prej klubeve të mëdha të Gjermanisë, Bayern ose Dortmund.
“Ka shumë klube për verën e ardhshme. Ai mund të largohet nga Hoffenheimi për shkak të klauzolës së lirimit dhe tashmë ka raportime për interesimin e Bayernit dhe Dortmundit. Ai duhet ta vlerësojë vetë, por për mua ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Ka cilësi të jashtëzakonshme në zonë, në hapësira të ngushta dhe është shumë inteligjent. Ai i shfrytëzon shpejt hapësirat në zonën e penalltisë dhe shënon gola. Ai është teknikisht shumë i aftë dhe mbi të gjitha shumë i rëndësishëm për një ekip”, thotë trajneri gjerman. “Ai absolutisht duhet të jetë në njërin prej atyre klubeve. Nuk i di diskutimet e tij, por di vetëm cilësitë e tij dhe për këtë arsye ishte kaq i rëndësishëm ta bindnim se duhej të luante për Kosovën”.






