Foda e Muriqi kërkojnë fitore: Jemi afër të bëjmë historinë

- Advertisement -
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi, të mërkurën në konferencën e fundit para sfidës me Sllovakinë, janë shprehur optimist se Dardanët mund të triumfojnë në Bratislavë.

Sllovakia dhe Kosova do të ballafaqohen nesër mbrëma në Bratislavë, në duelin e gjysmëfinales se play-off-it për Kupën e Botës 2026.

Foda thotë se kemi punuar mjaft mirë në stërvitjet e ditëve të fundit. Strategu gjerman thekson se Kosova në duel me Sllovakinë hynë për fitore.

“Kemi bërë stërvitje të mirë në ditët e fundit, jemi përqendruar në anën taktike”, ka thënë Foda.

“Tashmë po shikojmë për ndeshjen e nesërme dhe synojmë fitore ashtu siç kemi bërë ndaj Islandës, Suedisë dhe Sllovenisë si mysafir”, ka theksuar Foda.

I pari i bankinës së Kosovës thotë se skuadra e tij ka kualitet për të bërë gjera të mëdha.

“Kur nënshkrova kontratën qëllimi ishte për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, por skuadra bëri përparime sidomos këta muajt e fundit dhe tani jemi afër të arrijmë kualifikimin në Botëror. Normalisht edhe atëherë kam qenë i vetëdijshëm që Kosova ka kualitet, janë bërë disa përmirësime dhe janë bashkangjitur futbollistët e rinj dhe tani po shikojmë përpara”, ka pohuar Foda.

Ai është pyetur edhe për thirrjet e mundshme të tifozëve kundër Kosovës.

“Kemi një qëllim ta fitojmë lojën dhe duhet të fokusohemi vetëm aty. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj nuk më intereson”, tha Foda.

Optimist për fitore ndaj Sllovakisë, është shprehur edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.

Ai thotë se e gjithë skuadra e di rëndësinë e ndeshjes me sllovakët. Muriqi thekson se Kosova është afër të bëjë historinë.

“E dimë rëndësinë e ndeshjes prej ditës së parë. Kemi pasur stërvitje të rëndësishme, pra pikët e dobëta dhe të forta të Sllovakisë”, ka thënë Muriqi.

“Pres një ndeshje pak a shumë të barabartë. Jemi afër të bëjmë historinë por duhet të fitojmë dy ndeshje. Po presim të shohim si do të shkojë ndeshja”, ka deklaruar Muriqi.

As-i i Kosovës është pyetur se a do të godas penalltinë në rast se do të ketë 11-të metersh gjatë ndeshjes.

“Nuk e di a do të ketë penallti tjetër, patjetër do ta ekzekutoj unë. Janë gjëra që ndodhin, e di se ku po dëshiron me dalë për penalltinë që e humba ndaj Elche në minutën e 90+2’, por gabon kush e provon. Në rast që do të ketë penallti do ta gjuaj unë”, ka deklaruar Muriqi.

Ndeshja Sllovaki-Kosovë nis në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK

Të ngjashme

Të fundit