Kombëtarja e Kosovës në futboll në muajin qershor do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore.
Më 6 qershor, “Dardanët” në “Fadil Vokrri” do të përballen me Armeninë, derisa tri ditë më vonë ndaj Ishujve Komore.
Lidhur me përgatitjet për këto dy lojë, trajneri i Kosovës Franco Foda, ka folur në një konferencë për media, njofton Klankosova.tv.
Foda tha se pavarësisht mungesës së futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës do të mundohen t’i fitojnë këto ndeshje.
“Këto dy ndeshje janë të fundit para nisjes së kampanjës së kualifikimeve për Kampionatin Botëror që nis në muajin shtator. Ne duhet t’i fitojmë këto dy ndeshje. Kemi mungesa të disa lojtarëve të rëndësishëm, por unë kam sjellë edhe disa futbollistë të rinj, me të cilët jam befasuar dhe të cilët edhe mund t’i ndihmojnë tutje kombëtarës së Kosovës”, tha Foda.