Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që ekonomia globale do të zgjerohet me 3,3% në vitin 2026 dhe me 3,2% në vitin 2027, duke rishikuar lehtë në rritje vlerësimet krahasuar me Raportin e Perspektivës Ekonomike Botërore (World Economic Outlook) të tetorit 2025.
Sipas FMN-së, dinamika pozitive mbështetet nga investimet në teknologji, mbështetja fiskale dhe monetare, kushtet financiare më akomoduese, si edhe përshtatshmëria e sektorit privat. Këta faktorë, thuhet në njoftim, kanë kompensuar ndikimet e ndryshimeve në politikat tregtare.
Në planin e çmimeve, FMN pret që inflacioni global të vijojë rënien, ndërsa inflacioni në Shtetet e Bashkuara të rikthehet në objektiv më gradualisht se në vendet e tjera. Institucioni paralajmëron se rreziqet kryesore negative lidhen me një rishqyrtim të pritshmërive për teknologjinë dhe një përshkallëzim të mundshëm të tensioneve gjeopolitike.






