Juristja e medias, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjen politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Radio Televizionin e Kosovës, duke e cilësuar si një nga format më të ashpra të censurës dhe tentativave për kapje të transmetuesit publik.
Kusari theksoi se pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, gjashtë muajt e parë nuk kishte shenja të tendencave për censurë, por se tashmë, pas disa vitesh në pushtet, po shihet një përpjekje e kulmuar për ta vënë RTK-në nën kontroll të plotë.
“Kapja ende nuk ka ndodhur, por ka censurë dhe presion të vazhdueshëm ndaj gazetarëve. Po përdoren njerëz brenda RTK-së që i shërbejnë pushtetit, me qëllim që të mos ketë kritika ndaj qeverisë dhe që televizioni publik të shndërrohet në propagandë për VV-në,” tha Kusari.
Ajo e cilësoi si të kundërligjshme tentativën për largimin e gjashtë redaktorëve nga ekrani, e bërë kjo përmes ndryshimeve të skemës programore, pa vendim të bordit dhe në kundërshtim me kontratat e punës.
Sipas saj, ky veprim rrezikon jo vetëm pavarësinë editoriale të RTK-së, por edhe proceset demokratike në vend.
“Rreziku i parë është që RTK të përdoret si vitin e kaluar, kur raportoi rrejshëm për disa media. Rreziku tjetër është fushata për zgjedhjet lokale – nëse këta redaktorë largohen, RTK mund të shndërrohet në mjet propagande për Vetëvendosjen, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe duke i mohuar qytetarëve informimin e paanshëm,” tha ajo për gazetën Blic.
Kusari bëri të ditur se sot Avokati i Popullit ka pranuar gazetarët e RTK-së në një takim të gjatë, ku u prezantuan rastet e censurës dhe shkeljes së të drejtave.
Sipas saj, Avokati ka premtuar fillimin e një hetimi, të cilin ajo e cilësoi si “arritje në vetvete”.
“Kam respekt të jashtëzakonshëm për Avokatin e Popullit. Vetë fakti që është interesuar për këtë temë dhe se po nisin hetimet, është hap i madh. Më pas përgjegjësinë e kanë institucionet si Inspektorati i Punës dhe gjykatat, që duhet ta luajnë rolin e tyre,” shtoi Kusari.
Në përfundim, ajo theksoi se prioritetet e këtyre hetimeve janë dy: dokumentimi i ndërhyrjeve politike në transmetuesin publik dhe rikthimi i gjashtë redaktorëve në ekran para nisjes së fushatës zgjedhore, për të garantuar raportim të drejtë e të paanshëm.