Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ka qenë i prerë në negociatat me Vinícius Júnior lidhur me rinovimin e kontratës së tij.
Kreu i klubit madrilen ka bërë të qartë se struktura aktuale e pagave brenda skuadrës nuk do të ndryshojë.
Të gjithë yjet, përfshirë Mbappé dhe Jude Bellingham, do të kenë një kufi maksimal prej 15 milionë eurosh neto në vit — paga më e lartë që ofron klubi aktualisht.
Vinícius kishte kërkesa më të larta. Sipas “DefensaCentral”, braziliani, i vetëdijshëm për rëndësinë e tij gjithnjë në rritje në skuadër dhe për interesimin që gjeneron në treg, kishte ushtruar presion për një rritje të ndjeshme të pagës.
Por Florentino nuk ka bërë lëshime në këtë drejtim. “Vija e kuqe” është e panegociueshme: asnjë lojtar nuk është mbi klubin, as në fushë dhe as në kontratë.
Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë ofruar kompensime në mënyra të tjera. Janë përmirësuar ndjeshëm bonuset për objektivat e arritura dhe përfitimet nga të drejtat e imazhit, çka do t’i mundësojnë Viníciusit të fitojë deri në 20 milionë euro në vit, nëse plotësohen kushtet e parashikuara.
Një kompromis që ka bindur përfaqësuesit e lojtarit dhe që e afron marrëveshjen përfundimtare.
Vinícius nuk ka pasur asnjëherë në mendje një transferim drejt Arabisë Saudite, as në planin afatshkurtër e as në atë afatmesëm.
Në moshën 24-vjeçare, qëllimi i tij është të vazhdojë të shkëlqejë në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Real Madrid ka besim të plotë në progresin e tij, por njëkohësisht synon të ruajë balancën brenda një skuadre plot yje.
Me ardhjen e Xabi Alonso-s në stol, ka ardhur edhe një qetësi në aspektin e menaxhimit të egove.
Klubi është i bindur se mund të funksionojë vetëm nëse asnjë lojtar nuk ndihet më i madh se të tjerët – një mesazh që Florentino e ka dhënë qartë, dhe që Vinícius tashmë e ka pranuar.