1.4 C
New York
Tuesday, January 13, 2026

Buy now

Florentino Perez e pëlqen shumë Raphinhan – braziliani e tregoi edhe njëherë në fushë kualitetin e tij

- Advertisement -

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për yllin e Barcelonës, Raphinha, dhe kjo konfirmon shijet e mira të të parit të mbretërve për futbollistët.

Në disa raste, Florentino Pérez u ka pranuar njerëzve të rrethit të ngushtë se braziliani 29-vjeçar është lojtari i tij i preferuar i FC Barcelonës, madje më shumë se Lamine Yamal apo Pedri.

Sulmuesi i Barçës e justifikoi edhe një herë këtë vlerësim në finalen e Superkupës së Spanjës të zhvilluar në Xhedah, ku realizoi dy gola vendimtarë dhe i siguroi Barcelonës një tjetër trofe, duke ia rrëmbyer titullin rivalit të përjetshëm, Real Madridit.

Raphinha, i cili u vlerësua edhe nga Diego Simeone gjatë këtij turneu, ka një bilanc mbresëlënës kundër Real Madridit, sidomos që nga ardhja e Hansi Flick në stolin e Barcelonës.

Ai ka luajtur në pesë “El Clásico” gjatë kësaj periudhe dhe i ka fituar të gjitha, duke qenë vendimtar në secilën prej tyre. Mungoi vetëm në ndeshjen e kampionatit në “Santiago Bernabéu” në tetorin e kaluar – pikërisht e vetmja që Barça e humbi.

Me Flick në krye, Raphinha është shndërruar në një figurë kyçe të ekipit: shtatë gola në pesë ndeshje kundër Real Madridit, duke mbetur pa shënuar vetëm në finalen e Kupës së Mbretit.

Flick nuk i kurse lavdatat për brazilianin

Trajneri gjerman nuk i kurseu lëvdatat për MVP-në e finales, një nga kapitenët dhe futbollistin më në formë të këtij sezoni. Pasi kishte mbrojtur kandidaturën e tij për çmimet “Ballon d’Or” dhe “The Best”, Flick e quajti Raphinhan një dorë të tij në fushë.

“Ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Është shumë dinamik dhe kjo ndikon drejtpërdrejt te ekipi. E humbi rastin e parë, por shënoi të dytin dhe kjo i dha vetëbesim. Ai sjell intensitet dhe e transmeton atë te të gjithë”, u shpreh Flick.

Barcelona publikoi gjithashtu një imazh simbolik pas fishkëllimës së fundit: Raphinha i vetëm në fushë, përpara stolit, me grushtet e shtrënguar duke festuar një tjetër trofe. Momente më pas, Flick iu afrua për ta përqafuar dhe puthur.

Braziliani e festoi titullin me “syzet e fatit”, të njëjtat që kishte përdorur në çdo trofe sezonin e kaluar. “Më pëlqejnë, ka pak supersticion”, tha ai me buzëqeshje.

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku shënoi 34 gola dhe dhuroi 24 asistime në 57 ndeshje, Raphinha ka nisur fuqishëm edhe këtë edicion: 11 gola dhe 4 asistime në 17 paraqitje, tetë gola dhe dy asistime që nga rikthimi nga lëndimi në fund të nëntorit.

Edhe mesatarja e golave është përmirësuar ndjeshëm – nga një gol çdo 137 minuta sezonin e kaluar, në një gol çdo 100 minuta këtë sezon.

Të ngjashme

Të fundit