Flamengo ka realizuar një përmbysje dramatike ndaj Chelsea, duke fituar 3-1 dhe ka marrë kreun e Grupit D në Botërorin e Klubeve.
Ndeshja është zhvilluar në Filadelfia, ku skuadra braziliane ka arritur të rrëmbejë tri pikë të mëdha ndaj një Chelsea që ka luajtur pjesën e dytë me një lojtar më pak.
Chelsea e ka nisur më mirë takimin dhe ka kaluar në epërsi me golin e Pedro Neto, i cili ka përfituar nga një gabim në mesfushë për të shënuar për herë të dytë në këtë turne.
Pavarësisht avantazhit, “Blutë” janë detyruar të mbrohen gjatë pjesës së parë, pasi Flamengo ka dominuar në posedim dhe ka krijuar disa raste, ndërsa një goditje me kokë e Gerson është larguar nga vija fatale nga Levi Colwill.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Filipe Luis ka reagur. Gonzalo Plata ka rrezikuar me dy goditje të rrezikshme, ndërsa më pas ka asistuar me kokë për Bruno Henrique, i cili ka barazuar rezultatin nga afërsia.
Vetëm pak minuta më vonë, Flamengo ka përmbysur gjithçka. Pas një goditje nga këndi, Bruno Henrique ka asistuar sërish, ndërsa Danilo, ish-lojtari i Juventus, ka shënuar për 2-1.
Problemet për Chelsea janë shtuar kur zëvendësuesi Nicolas Jackson është përjashtuar me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj mbrojtësit Ayrton Lucas.
Në minutat e fundit, Wallace Yan e ka vulosur fitoren për Flamengo me një gol të tretë, duke e çuar skuadrën braziliane në kuotën e gjashtë fitoreve radhazi dhe duke i dhënë fund serisë prej katër fitoreve të Chelsea.
Me këtë fitore, Flamengo kryeson Grupin D me tri pikë më shumë se Chelsea, që tani ndodhet në vendin e dytë. /RTKlive/