Luka Mishetiq, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka mbërritur në Dhomat e Specializuara të Hagës. Sot, Mishetiq do të paraqesë fjalët përmbyllëse para trupit gjykues.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq ka arritur pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, një orë para fillimit të seancës, ku do e fillojë deklaratën përmbyllëse.
Sot në Hagë nis fjala përmbyllëse e mbrojtjes së ish-presidentit, Thaçi.
Në ditën e tretë të fazës përfundimtare te procesit më të madh gjyqësor në Hagë, siç edhe ka njoftuar Mishetiq, ai do të fillojë shpalosjen e deklaratës përmbyllëse nga ora 9 e mëngjesit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur dje fjalën përfundimtare, duke vijuar më pas mbrojtësi i viktimave.
ZPS ka thënë se ka pranuar, siç pretendon, mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënimin me burg nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së, që në total i bie 180 vjet burgim.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, prokuroria ka pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi “i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët”, duke përmendur kështu dëshmitë e James Rubin e Wesley Clark.
Për kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim me nga 45 vjet burgim kanë reaguar liderët e vendit por edhe të rajonit, duke thënë se kjo nuk mbështetet në asnjë standard ndërkombëtar e po ashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë.
Paraqitja e deklaratave përmbyllëse shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.
Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, gjatë kësaj dhe javës se ardhshme kanë mundësi që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.






