Ministria e Shëndetësisë e ka shpërblyer një operator ekonomik me një tender, fiks me vlerën e parashikuar të tenderit. Kurioziteti është se sa është vlera e parashikuar, aq është edhe oferta e kompanisë që është shpallur fituese. Pra, nuk po flasim vetëm për euro, por edhe për centa që përkojnë plotësisht.
Sipas dokumentit zyrtar të vendimit për dhënien e kontratës, vlera e parashikuar e tenderit është 5,385,415.48 euro. Pikërisht këtë shumë, deri në centin e fundit, e ka ofertuar edhe kompania që ka fituar kontratën.
Bëhet fjalë për tenderin me titull “Furnizim me Risdiplam 0.75 mg-ml, bar për sëmundje të rënda dhe të rralla nga LBE”, një medikament që përdoret për trajtimin e sëmundjeve shumë të rënda dhe të rralla.
Kontrata është fituar nga kompania “Santefarm” Sh.P.K me seli në Fushë Kosovë. Sipas dokumentit të Ministrisë së Shëndetësisë, oferta e kësaj kompanie është saktësisht 5,385,415.48 euro, njësoj si vlera e parashikuar e tenderit.
Vendimi për dhënien e kontratës është nënshkruar më 18 shkurt 2026 nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Tenderi ka të bëjë me furnizimin me barin Risdiplam, një medikament që përdoret në trajtimin e sëmundjeve të rralla dhe shumë të rënda, veçanërisht për pacientët që vuajnë nga atrofi muskulare spinale.
Ky lloj ilaçi konsiderohet ndër terapitë më të shtrenjta në tregun farmaceutik, pasi përdoret për sëmundje të rralla dhe zakonisht prodhohet nga një numër shumë i kufizuar kompanish farmaceutike në botë, raporton Periskopi.
Kontrata e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë parashikon furnizimin e institucioneve shëndetësore me këtë medikament për pacientët që kanë nevojë për këtë trajtim.
Megjithatë, ajo që bie në sy në këtë procedurë prokurimi është fakti se oferta e kompanisë fituese përputhet plotësisht me vlerën e parashikuar nga autoriteti kontraktues.
Në prokurimin publik zakonisht ndodh e kundërta, sepse institucionet publike vendosin një vlerë të parashikuar të kontratës, ndërsa operatorët ekonomikë garojnë duke ofruar çmime më të ulëta për të fituar tenderin.
Pikërisht përmes kësaj gare synohet që shteti të sigurojë ofertën më të favorshme financiare dhe të kursejë para publike.
Në këtë rast, megjithatë, nuk ka asnjë dallim mes vlerës së planifikuar dhe ofertës fituese.
Përputhja e ofertës me vlerën e parashikuar deri në cent është një situatë e rrallë në prokurimin publik dhe shpesh konsiderohet indikator rreziku nga auditorët dhe ekspertët e prokurimit.
Në çdo rast, fakti që oferta fituese është identike me vlerën e parashikuar të tenderit prej 5,385,415.48 eurosh e bën këtë procedurë një rast të pazakontë në praktikat e zakonshme të prokurimit publik.







