Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 29-të të Superligës së Kosovës, aty ku kampioni në fuqi Ballkani ka fituar minimalisht 1:0 ndaj Feronikelit 74, kështu për të ruajtur vendin e parë. Fitore kanë shënuar edhe Drita e Gjilani që kanë mposhtur Lirinë dhe Prishtinën, respektivisht.
Natyrisht vëmendja ishte në Drenas, ku Xhebrailat u përballen me Feronikelin 74.
Fatin e këtij takimi i vendosi një gol i shënuar në pjesën e parë, që në fund doli të ishte i vetmi.
Nazmi Grishpi shënoi nga penalltia në minutën e 22-të, për ta çuar Ballkanin në epërsi 1:0.
Feronikeli krejt në fund kishte një mundësi të artë për të barazuar, por në vend ishte portieri Enea Koliçi.
Kësisoj, ndeshja përfundoi me rezultat 1:0 dhe Ballkani do ta vazhdojë kryesimin e Superligës, për të paktën edhe një javë.
Ndeshje interesante u zhvillua në Lipjan, atje ku Prishtina po zhvillon ndeshjet si vendas, pasi stadiumi në kryeqytet është në renovim e sipër.
Gjilani triumfoi me rezultat 2:1, me të gjitha golat që u shënuan në pjesën e dytë.
Shabani hapi serinë e golave në ndeshje, kur Skifterët dolën në epërsi 1:0, po i menjëhershëm ishte reagimi i Plisave kur barazuan 1:1 me Nimanin.
Në vazhdim, Gjilani shënoi edhe një gol, me Ismajlin për rezultatin përfundimtar 2:1 në minutën e 71-të.
Gjilani me këtë fitore largohet nga zona e play-offit me tre pikë dallim nga Feronikeli që gjendet në atë pozitë.
Takimi tjetër i ditës së sotme ishte mes Dritës dhe Lirisë, ku Intelektualët ishin pa mëshirë për skuadrën që tashmë ka humbur çdo shpresë për mbijetesë.
Drita triumfoi me rezultat 4:2 dhe kështu vazhdon ndjekjen e afërt të Ballkanit, që është vetëm dy pikë prapa, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund.