19.2 C
New York
Thursday, September 18, 2025

Buy now

Fisnik Asllani, një makineri golash në elitën e futbollit gjerman – Bundesliga me artikull special për yllin dardan

- Advertisement -

Fisnik Asllani ka filluar shkëlqimin në elitën e futbollit gjerman Bundesliga me fanellën e Hoffenheim.

E pas tre golave në fillim të sezonit, ‘Bundesliga.com’ i ka kushtuar një artikull të veçantë sulmuesit të talentuar kosovar i cili është shëndërruar në një makineri golash.

Më poshtë e keni artikullin e plotë për Fisnik Asllanin nga Bundesliga:

Në edicionin e kaluar, Fisnik Asllani u shfaq si yll në ardhje në Bundesliga 2, te skuadra e Elversbergut. Tani, i rikthyer te Hoffenheimi, ai po bën hapin drejt shndërrimit në një makineri golash në elitën e futbollit gjerman.

Asllani tregoi kualitetet e tij në ndeshjen e Kupës ndaj Rostockut. Me një gol dhe një asistim, sulmuesi i kthyer nga huazimi ishte vendimtar për avancimin e Hoffenheimit.

Një javë më pas, në ndeshjen në udhëtim ndaj Leverkusenit, skenari ishte i njëjtë: gol dhe asistim nga Asllani në fitoren 2:1.

Pas një ndeshjeje të vështirë ndaj ekipit të fortë të Frankfurtit, ai u rikthye me një tjetër paraqitje të zjarrtë, duke shënuar dy gola ndaj klubit të fëmijërisë, Union Berlin.

Tre golat e tij e vendosin Asllanin në Bundesligë menjëherë pas Harry Kane dhe Serhou Guirassy, duke u futur në grupin e më të mirëve.

Asllani bëri një hap të madh në zhvillimin e tij gjatë edicionit të kaluar, kur ishte i huazuar te Elversbergu. Ashtu si Nick Woltemade dy vjet më parë me 17 gola e dhjetë asistime në ligën e tretë, edhe Asllani shkëlqeu në Saarland. Me 18 gola dhe tetë asistime, sulmuesi i Kosovës ishte ndër më të mirët në Bundesliga 2 dhe luajti rol kyç në sezonin e suksesshëm të Elversbergut, skuadër që u paraqit edhe në plejofin për inkuadrim në elitë.

Ai thjesht kishte instinktin e golit. Me 102 goditje, ishte sulmuesi i dytë me më së shumti tentime, duke konkretizuar 62 për qind të rasteve të mira dhe duke qenë golashënuesi i tretë në përgjithësi. Kjo ecuri po vazhdon edhe në Bundesligë, me dhjetë gjuajtje në tri ndeshjet e para te Hoffenheimi, më shumë se çdo lojtar tjetër i skuadrës.

23-vjeçari mund të mos jetë shumë i shpejtë, por tregon qartë dëshirën për të vrapuar. Fizikisht është i fortë dhe teknikisht i kompletuar. Këtë e dëshmon jo vetëm me golat, por edhe me asistimet e shumta: deri tani ka dy asistime dhe pesë pasime për gjuajtje, më shumë se çdo lojtar tjetër i Hoffenheimit.

Virtualisht, Asllani është një sulmues i kompletuar. Ai ofron gjithçka në fushë dhe, në këtë moshë të re, është në prag të shpërthimit. Transformimi i tij në një top-golashënues të Bundesligës është vetëm çështje kohe. /Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit